Aktualitet

Dogji tregun e fruta-perimeve në Lushnjë, arrestohet zjarrvënësi!

Pranga një 48-vjeçari në kërkim, i dyshuar për zjarrvënien në tregun e fruta-perimeve në Lushnjë, duke e djegur. Në bashkëpunim me kolegët e Durrësit, blutë e Lushnjës arrestuan Klodian Çinën, banues në Durrës, i shpallur më herët në kërkim policor.

Dyshohet se në orët e para të mëngjesit të 19 majit, i vendosi zjarrin tregut të fruta-perimeve në lagjen “Xhevdet Nepravishta” në Lushnjë dhe më pas u largua, duke u fshehur në qytetin e Durrësit. Policia dyshon edhe se ai është autor i vjedhjes së një biçiklete në Lushnjë, që e përdorte për të lëvizur në qytet, dy ditë para ngjarjes.

Mjeti u gjet dhe u sekuestrua si provë materiale. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë doli se pranë të dyshuarit ishte edhe një person tjetër, por nuk rezulton i përfshirë në zjarrvënie. Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Fier për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Vjedhja”.

Lushnjë/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Zjarrvënësi”. Kapet dhe vihet në pranga 48-vjeçari i shpallur në kërkim, i dyshuar për zjarrvënien në tregun e fruta-perimeve, ku u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, pas një pune të mirëorganizuar hetimore dhe veprimeve intensive për lokalizimin e autorit, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, finalizuan operacionin policor të koduar “Zjarrvënësi”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit K. Ç., 48 vjeç, banues në Durrës, i shpallur më parë në kërkim policor.

Nga hetimet e kryera dyshohet se ky shtetas, më datë 19.05.2026, gjatë orëve të para të mëngjesit, i ka vënë zjarrin tregut të fruta-perimeve në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, në qytetin e Lushnjës dhe më pas është larguar nga vendngjarja, duke u fshehur në qytetin e Durrësit.

Gjithashtu, dyshohet se është autor edhe i vjedhjes së një biçiklete në qytetin e Lushnjës, të cilën e ka përdorur për të lëvizur në qytet, dy ditë para ngjarjes së ndodhur. Biçikleta u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Nga këqyrja e pamjeve filmike rezulton se, së bashku me shtetasin K.Ç., shfaqet edhe një person tjetër, i cili, bazuar në hetimet e deritanishme, nuk rezulton të jetë i implikuar në zjarrvënie.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore të thelluara për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, si dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë lidhje me këtë rast.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Vjedhja”, në ngarkim të shtetasit K.Ç.