Dy dronë iranianë kanë goditur portin tregtar të Duqm-it në Oman, duke plagosur një punëtor. Mediat vunë në dukje se kjo është goditja e parë e Iranit ndaj Omanit që kur filloi të hakmerrej për sulmet e djeshme ajrore të SHBA-ve e Izraelit, në përgjigje të të cilave Teherani shënjestroi bazat amerikane në rajon.
Ambasada amerikane në Oman lëshoi alarm sigurie, duke udhëzuar stafin dhe qytetarët të kërkojnë strehim “për shkak të aktivitetit të vazhdueshëm”, deri në një njoftim të mëtejshëm.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Lajmeve të Omanit (ONA), një nga dronët goditi një kapanon, duke plagosur një punëtor emigrant, ndërsa mbetjet nga droni i dytë ranë në një zonë ngjitur me rezervuarët e karburantit. Nuk ka humbje jete apo dëme materiale.
Sulltanati i Omanit e dënoi këtë sulm dhe njoftoi se po merr të gjitha masat e nevojshme “për të adresuar çdo veprim që mund të kompromentojë sigurinë e kombit dhe të atyre që banojnë atje”.
Baza ajrore amerikane në Harir, në Irakun verior, u godit dy herë brenda pak orësh, sipas agjencisë iraniane të lajmeve Fars, pa specifikuar se kush i kreu sulmet. Një tjetër agjenci lajmesh, Tasnim, raportoi më parë se baza ishte sulmuar, duke cituar Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).
Sot në ditën e dytë të përplasjeve, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën një valë të re sulmesh kundër kryeqytetit iranian, Teheranit. Shpërthime të forta dhe të shumta u dëgjuan në të gjithë qytetin e një re e dendur tymi u ngjit drejt qiellit.
Forcat Ajrore Izraelite (IAF) po kryejnë një sulm në shkallë të gjerë kundër objektivave të regjimit terrorist iranian, në zemër të Teheranit, deklaroi IDF.
Sirenat e alarmit janë aktivizuar përsëri në Tel Aviv të Izraelit, pas një nate alarmi të vazhdueshëm. Zhurma e raketave dëgjohet në qendër të qytetit, referuar raportimeve nga terreni.