Bota

Goditjet iraniane/1 i vrarë e 7 të plagosur në aeroportin e Abu Dabit, kaos në Dubai!

Hakmarrja e Iranit për sulmet amerikano-izraelite, çon në viktima në vendet e papërfshira të Gjirit Persik, por që janë në shënjestrën iraniane pasi në territoret e tyre kanë baza ushtarake të Shteteve të Bashkuara.

Të paktën një person u vra dhe shtatë u plagosën në atë që autoritetet e quajtën një “aksident” në aeroportin e Abu Dabit. Aeroporti i Dubait, më i madhi në botë për trafik ndërkombëtar, u godit gjithashtu.

Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe tha se Irani hodhi 137 raketa e 209 dronë drejt territorit të vendit.

Forcat ajrore iraniane kanë kryer një tjetër valë sulmesh kundër bazave amerikane në Irak dhe Gjirin Persik, raportoi radiotelevizioni publik IRIB, duke cituar një deklaratë ushtarake.

Avionët e forcave ajrore iraniane kanë bombarduar me sukses bazat amerikane në vendet e Gjirit Persik dhe në Rajonin e Kurdistanit Irakian.

Shpërthime u dëgjuan këtë mëngjes në Jerusalem pasi ushtria izraelite njoftoi lëshime të reja raketash iraniane.

Sirenat ranë në disa rajone të vendit pasi u identifikuan raketa nga Irani në drejtim të Izraelit. Forcat Ajrore Izraelite ndërhyjnë për të kapur dhe goditur kur është e nevojshme, me qëllim neutralizimi.

Po ashtu, Irani u ka ndaluar anijeve amerikane të hyjnë në Gjirin Persik, sipas zyrtarit të lartë të Teheranit, Mohsen Rezaei.

Nga sot, asnjë anije amerikane nuk ka të drejtë të hyjë në Gjirin Persik. Tregtia përmes Ngushticës së Hormuzit është aktualisht e ndaluar deri në njoftim të mëtejshëm.

Të paktën gjashtë persona u vranë në përleshjet me policinë që shpërthyen kur qindra protestues sulmuan konsullatën amerikane në qytetin port pakistanez të Karaçit, në provincën jugore të Sindhit.

Zyrtarët e policisë dhe spitalit në Karaçi raportuan se të paktën tetë vetë u plagosën. Protestuesit u shpërndanë më vonë dhe mësohet se tani, situata është nën kontroll. Këto zhvillime pasuan njoftimet për vrasjen e liderit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei.