Bota Lajmet e fundit

Kongo vajton gorillën Ndakasi “yllin” me famë botërore të spektakleve e të fotove selfie!

Pas një sëmundjeje të gjatë, po bën xhiron e botës lajmi se ka ngordhur gorilla femër Ndakasi, që u kthye në yll botëror pas fotos virale me një roje parku. Konfirmimi vjen nga Virunga National Park, në Republikën Demokratike të Kongos.

Me shumë trishtim, njoftojmë “vdekjen” e gorillës shumë të dashur Ndakasi, në Senkwekwe Center të Parkut. Ndakasi dha frymë në krahët e kujdestarit dhe mikut të saj të dashur, André Bauma.

Senkwekwe Center rezulton e vetmja strukturë në botë që merret me gorillat e malit, të mbetur jetimë. Bauma kujdesej prej 2007-ës për Ndakasin, vit kur u gjet e përqafuar me nënën e ngordhur. Atëherë ishte vetëm dy muajshe e shumë e brishtë për t’u rikthyer në natyrë.

Bauma deklaroi:

Ishte privilegj të kujdesesha për një krijesë kaq të dashur e që kishte pësuar traumë. Natyra e ëmbël dhe inteligjente e Ndakasit më ndihmoi të kuptoja lidhjen mes qenieve njerëzore e majmunëve të mëdhenj e se përse duhet të bëjmë gjithçka kemi në dorë, për t’i ndihmuar. Ndakasin e rrita si vajzën time dhe me personalitetin e saj, gjithnjë më bënte të qeshja.

CNN rikujton faktin se Ndakasi mori pjesë në shumë spektakle televizivë, filma e dokumentarë, por famën globale e fitoi në 2019-ën kur pozoi me një tjetër gorillë femër, të quajtur Ndeze. Para një aparati fotografik dukeshin aq të lirshme, të prera për të pozuar.

Në vitin 2007, gorillat e malit ishin në rrezik të fortë për shkak të vrasjeve masive. Por, falë disa masave të ndërmarra nga autoritetet në Kongo, situata duket të jetë përmirësuar e nga 720 ekzemplarë, këtë vit numërohen 1.063.