Aktualitet

“Fake News”, kryeministri Rama përplaset me gazetaren e CNN-it për Zvërnecin!

Në një intervistë për CNN International, ku u pyet për investimin 4 miliardë euro në Zvërnec, kryeministri Edi Rama u përplas edhe me gazetaren, e cila e pyeste për projektin, ndërsa Rama i theksonte se nuk ka asnjë projekt dhe i quante “lajme të rreme”.

Sipas tij, “Shqipëria është shënjestër e një sulmi hibrid nga konkurrenca e turizmit në rajon.

Edi Rama: Para së gjithash, nuk ka asnjë projekt.

Gazetarja: Pra, vetëm për ta sqaruar, projekti nuk do të vazhdojë?

Rama: Përsëri, nuk ka ende një projekt. Nuk ka një projekt.

Gazetarja: Dua t’ju dëgjoj, zoti Kryeministër, por po përpiqem të sqaroj…

Rama: Doni të më dëgjoni apo doni vetëm të flisni?

Gazetarja: Dua t’ju dëgjoj, por po përpiqem të sqaroj për shikuesit tanë. Ju po na akuzoni për lajme të rreme dhe po përpiqem të kuptoj nëse projekti vazhdon apo është ndalur. Sepse, sipas raportimeve të Politico-s, Prokuroria e Posaçme ka nisur një hetim për këtë projekt. Si mund të vazhdojë projekti në këto kushte?

Rama: Përsëri, ju nuk doni të dëgjoni. Është shumë e qartë për mua. Nuk po ju sulmoj. Po ju them të vërtetën. Dhe derisa të më tregoni projektin, duhet të më dëgjoni, sepse nuk ka projekt.

Rama tha:

Ne jemi në një luftë hibride, Shqipëria është në sulm nga armiq që i njohim shumë mirë. Eshtë në sulm nga konkurrenca shumë e fortë në pjesën tonë të Mesdheut. Eshtë në sulm nga qindra e mijëra profile të rreme, të krijuara për të shkaktuar gjithë këtë stuhi.

Nuk ekziston diçka e tillë si ishulli i familjes Trump. Nuk ekziston diçka e tillë, si familja e presidentit amerikan që po merr nën kontroll zonat e mbrojtura me flamingo.

Kryeministri Rama u pyet edhe për protestat lidhur me Zvërnecin dhe iu përgjigj gazetares që tha se protestohet në Tiranë e në qytetet bregdetare.

Vetëm për të saktësuar, ju thatë protesta në të gjithë Shqipërinë, kjo është e rreme. Nuk ka protesta në të gjithë Shqipërinë. Ka një protestë në kryeqytet e sigurisht, në këtë protestë ka njerëz me qëllime të mira, të rinj që në përgjithësi janë të interesuar për mjedisin, por që janë keqinformuar në një masë të madhe.

Rama: Më lini të përfundoj, sepse ju përmendët Politico-n dhe thatë se ka një hetim antikorrupsion. Ky është lajm i rremë. Hetimi ka të bëjë me një nga pronarët e tokës. Është tokë private dhe një nga pronarët e ka shitur pronën, e cila është blerë përmes transaksioneve bankare krejtësisht transparente.

Hetimi është për atë çështje. Nuk është për investimin. Nuk është për projektin. Nuk është për Kushner-in. Nuk është për Trump-in. Nuk është për asgjë nga ato që po hidhen në këtë përzierje për të krijuar lajmin sensacional se Shqipëria është një vend ku po vrasim flamingot.

Sepse sfida nuk është të ndërtohet një qytet. Sfida nuk është të derdhet beton mbi kokat e flamingove. Sfida është të provohet se zhvillimi dhe natyra jo vetëm që mund të bashkëjetojnë, por se natyra dhe zhvillimi kanë nevojë për njëri-tjetrin.

Njerëzit meritojnë të jetojnë në një lloj tjetër mjedisi, ku mund ta shijojnë natyrën dhe njëkohësisht t’i tregojnë respekt.

Pra, projekti ende nuk ekziston. Vlerësimi i ndikimit mjedisor është ende duke u kryer. E kuptoni? Dhe më lini të përfundoj.

Gazetarja: Faleminderit zoti Rama!