Aktualitet

Konkursi për “Parkun e Besimit”, Rama: Jo simbol i fesë, por faltore adhurimi!

Në Tiranë do të ndërtohet “Parku i Besimit”, ide që synon të krijojë një hapësirë të re kushtuar harmonisë fetare, bashkëjetesës e trashëgimisë shpirtërore. 12 ekipe finaliste nga disa prej zyrave më prestigjioze të arkitekturës në botë, që përfaqësojnë Mbretërinë e Bashkuar, Portugalinë, Danimarkën, Gjermaninë, Spanjën, Meksikën, Belgjikën, Holandën dhe Italinë, paraqitën konceptet e tyre përpara një jurie ndërkombëtare, me qëllimin për të përzgjedhur projektin fitues që do të formësojë këtë hapësirë unike.

I pranishëm në këtë fazë të Konkursit Ndërkombëtar të Koncept-Ideve për masterplanin e “Parkut të Besimit”, kryeministri Edi Rama, theksoi se projekti nuk ka të bëjë me fshirjen e së shkuarës, por me vazhdimësinë e saj, me mbjelljen e shpresës dhe frymës së bashkëjetesës.

Sipas tij, “Parku i Besimit” nuk do të jetë një muze, por nderim i trashëgimisë fetare në vendin tonë, tolerancës për të vijuar ruajtjen e frymës së “vëllazërisë fetare”.

Ky park nuk ka të bëjë me fshirjen e së shkruarës, por me vazhdimësinë e saj për të mbjellë shpresë e vazhdimësi. Parku nuk është simbol i fesë, është një faltore adhurimi që nuk bën pyetje se në çfarë besoni, vetëm ju fton të vini të mrekulloheni tek qëndresa e heshtur e pemëve.

Zoti mbolli kopshtin e Edenit dhe pastaj vendosi njeriun e në këtë kopsht, pemët nuk janë zgjedhur vetëm për bukuri, por ishin bashkudhëtare profecie. Ky park nuk është një muze besimi, por një skripturë e gjallë që nuk shkruhet me bojë por me rrënjë, jo me doktrina por me hije peme. Një hapësirë që heshtja nuk është mungesa e zërit, por prania e vëmendjes.

Shqiptarët nuk kanë nevojë ta shpikin tolerancën, ne jemi rritur me të, me xhami, kisha, teqe e manastire krah për krah. Ajo që ka ndodhur në atë periudhë të errët ku me dinamit u kërkua që feja të çrrënjosej ishte dhe një mësim shumë më i madh pse keni nevojë për tolerancën.

Rama shtoi se ky park do të jetë edhe një përgjigje ndaj dhunës që shpesh kryhet në emër të së shenjtës.

Papa Françesku e pagëzoi këtë tolerancë si “vëllazëri fetare” që ne e kemi fituar dhe ky park nderon këtë trashëgimi e na bën thirrje që të gjithë të ecim përpara. Eshtë përgjigje ndaj dhunës që bëhet në emër të së shenjtës, ndaj një brezi që gjendet përpara rrezikut të humbjes së dijes shpirtërore.

Nisma është ndërmarrë nga Korporata e Investimeve Shqiptare (AIC), në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT). “Parku i Besimit” do të ndërtohet në Petrelë, duke e shndërruar në qendër të re kulturore e shpirtërore të Tiranës.

Parku do të ofrojë hapësira për pushim dhe ndërveprim për grupe, kombësi e besime të ndryshme, si dhe do të shërbejë si një vend për ngjarje që festojnë këto komunitete.