Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu ka bërë të ditur se konsumi i energjisë elektrike në Kosovë është tejkaluar dhe rekordet e mëparshme të ngarkesës së regjistruar në sistem. Kosova po përballet me një situatë të rënduar energjetike, pasi konsumi i energjisë elektrike ka tejkaluar të gjitha rekordet e mëparshme.
Tashmë kur ka nisur edhe stina e dimrit, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT ka paralajmëruar mundësinë e reduktimeve në furnizimin me energji elektrike, duke thënë se diçka e tillë mund të imponohet nga mbingarkesa.
Teksa njoftoi se konsumi i rrymës ka shënuar rritje prej 14.33% dhe se piku veçse ka arritur në 1468 megavat/orë, KOSTT-i kërkoi nga qytetarët që të “kursejnë dhe zhvendosin konsumin” në orë të tjera, përtej intervaleve 16:00-20:00 dhe 22:00-23:00.
Konsumi më i lartë vërehet kryesisht në intervalet kohore 09:00–12:00, 16:00–20:00 dhe 22:00–23:00 ndaj ftojmë të gjithë konsumatorët që kur të jetë e mundur, të zhvendosin përdorimin e pajisjeve me konsum të lartë të energjisë në orë jashtë pikut, veçanërisht pas mesnatës, kur konsumi është dukshëm më i ulët, thuhet në njoftim.
KOSST u ka apeluar qytetarëve, institucioneve publike dhe bizneseve që ta përdorin energjinë me kujdes dhe të kontribuojnë që furnizimi të mbetet sa më i qëndrueshëm për të gjithë.
Për të mbrojtur pajisjet e sistemit dhe për të shmangur mbingarkesat, janë kërkuar këto kufizime të ngarkesës: NS Rahoveci (përfshi zonën e Malishevës): rreth 12 MW, NS Prizreni 1 (përfshi zonën e Dragashit): rreth 10 MW.
Rritja më e madhe e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë është regjistruar gjatë dy viteve të fundit, duke rënduar më tej faturat e konsumatorëve dhe ngritur shqetësime mbi përballueshmërinë e kostove energjetike. Megjithatë, qytetarët vazhdojnë të përballen me mungesë të energjisë elektrike.
Gjatë vitit 2024, shumë komuna të Kosovës kishin reduktime të energjisë elektrike. Për shkak të vjetërsisë disa dekadëshe të termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”, Kosova nuk mund ta sigurojë energjinë e nevojshme për mbi 1.6 milion banorët e saj.
Prodhim ka edhe nga burimet e ripërtëritshme, por në sasi më të vogla. Prodhimi i pamjaftueshëm bën që një pjesë e konsiderueshme e furnizimit të sigurohet përmes importeve, të cilat janë të shtrenjta./Monitor