“Lebetitëse” e quan kryeministri Rama kontratën 6 milion dollarëshe të lobimit të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara. Në nisje të bashkëbisedimit me ndjekësit në rubrikën “Sy m’Sy”, Rama komentoi:
Kontrata patriotike që u shfaq befasisht, si një ndihmë besoj unë, ndihmë e çmuar, për të gjithë ata që nuk kanë dashur të shikojnë dhe të dëgjojnë. Nëse duan të kuptojnë tani e kanë para syve një shëmbëlltyre që të gjithë përrallat që kanë dëgjuar dhe kanë dashur të besojnë. Janë mbledhur disa “patriotë” që nuk dihet kush janë, që nuk janë për hir të vërtetës, dhe kanë grumbulluar 6 milion dollarë për të pastruar damkën e bufit të kënetës, damkën që SHBA-të i ka vënë për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë.
Kryeministri ironizoi edhe deklaratat e mëparshme të liderit të opozitës, Sali Berishës, i cili ka akuzuar Ramën dhe George Soros-in për një “komplot ndërkombëtar” ndaj tij, për vendosjen e “non gratës”.
Pse duheshin këto 6 milion dollarë për të hequr një damkë, nëse ajo do të ishte thjesht pjesë e një komploti? A nuk u tha se sapo të vinte Trump-i në Shtëpinë e Bardhë, drejtësia do të vihej në vend?
Ai e krahasoi këtë marrëveshje me një rast të mëparshëm të kryetarit të atëhershëm të PD-së, Lulzim Basha, i cili ishte përballur me akuza për një kontratë lobimi prej 500 mijë dollarësh.
Kjo kontratë 6 milion dollarë është ku e ku më lebetitëse se ajo e Lulit të shkretë që u bë copash për të justifikuar ato 500 mijë dollarët fantazmë se dhe ai ashtu tha “disa patriotë”. Po ai 500 mijë kishte, kurse këto janë 6 milion dollarë që janë pjesë e zjarrit patriotik që është sjellja e Latifit në Tiranë për t’i vënë kapelën bufit në kokë që të duket si Trump-i. Latifi ka marrë pjesën e tij në ato 6 milion dollarë që kanë dalë nga barku i kënetës dhe synojnë të realizojnë atë që na u tha se ishte një gjë e realizuar.
Më herët, lidhur me kontratën e lobimit mes PD-së e një kompanie amerikane, ku vlera e saj kap shifrën e 6 milion dollarëve, ka nisur verifikimet edhe Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion.
Ndërkohë, kontrata është firmosur nga sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka dhe shqiptaro-amerikani, Nuredin Seçi, në emër të koalicionit “Për Shqipërinë Madhështore”. Sipas njoftimit të PD-së, pagesa për këtë marrëveshje do të kryhet përmes fondacionit “Make Albania Great Again”, financuar nga anëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan.