Aktualitet

Kontrollet policore, 48 të arrestuar dhe mbi 26 mijë gjoba gjatë javës!

Policia e Shtetit ka rritur praninë në terren, me synim garantimin e rendit publik dhe rritjen e sigurisë rrugore në të gjithë vendin.

Gjatë javës së fundit janë arrestuar 48 drejtues mjetesh, nga të cilët 26 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 22 për drejtim pa leje drejtimi.

Paralelisht, janë vendosur 26,116 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Shkeljet më të shpeshta përfshijnë mospërdorimin e kaskës mbrojtëse, mosvendosjen e rripit të sigurimit, përdorimin e celularit gjatë drejtimit, parakalimet e gabuara, drejtimin nën efektin e alkoolit, si dhe kryerjen e manovrave të rrezikshme apo shkaktimin e ndotjes akustike.

Kontrollet janë shtrirë edhe në zonat e banuara, ku vëmendje e veçantë i është kushtuar parkimeve të gabuara që pengojnë qarkullimin e mjeteve të emergjencës dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve. Vetëm në kryeqytet, 258 automjete janë zhvendosur me karrotrec nga korsitë e dedikuara, trotuaret dhe hapësira ku parkimi është i ndaluar.

Policia njofton se monitorimet me mjete inteligjente janë intensifikuar në të gjithë vendin, veçanërisht në akset nacionale drejt zonave turistike dhe bregdetare, ku gjatë fundjavës regjistrohet rritje e ndjeshme e qarkullimit. Qëllimi kryesor mbetet parandalimi i aksidenteve dhe garantimi i sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës.