Koreja e Veriut ka dërguar më shumë ushtarë në Rusi dhe disa janë ridislokuar në frontin e luftës në rajonin Kursk, që gjendet në kufi me Ukrainën, siç bëri të ditur sot agjencia e Inteligjencës e Seulit. Madhësia e kontingjentit ende nuk dihet, raportoi televizioni YTN në Korenë e Jugut, duke cituar burime të agjencisë së Inteligjencës.
Shërbimet sekrete të Koresë së Jugut dhe ato perëndimore kanë thënë se rreth 11 mijë ushtarë të Koresë së Veriut janë dërguar në Rusi vitin e kaluar për të ndihmuar në luftimin e ofensivës ukrainase në rajonin kufitar të Kurskut.
Më herët gjatë këtij muaji, Seuli ka vënë në dukje se ushtarët koreano-veriorë paraprakisht po luftonin së bashku me forcat ruse në frontin e luftës në Kursk dhe nuk kanë qenë në zonë lufte që nga mesi i janarit. Ukraina tha se ata ishin tërhequr pas humbjeve të mëdha.
Një zyrtar i Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës të Koresë së Jugut vuri në dukje për AFP-në se ata janë “ridislokuar” në rajon.
Disa dislokime shtesë të trupave duket se kanë ndodhur, shtoi zyrtari. Shkalla e saktë e këtyre dislokimeve ende po vlerësohet.
As Moska e as Pheniani nuk kanë konfirmuar këtë dislokim. Por, të dyja shtetet kanë nënshkruar një marrëveshje, që përfshin edhe mbrojtjen e përbashkët kur presidenti rus, Vladimir Putin, zhvilloi një vizitë të rrallë në Korenë e Veriut vitin e kaluar.
Disa burime të inteligjencës kanë thënë se shumë trupa që shkuan në Kursk vitin e kaluar janë larguar nga vijat e frontit pasi kanë pësuar humbje të mëdha gjatë luftimeve me forcat ukrainase. Udhëheqësi komunist i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, më 8 shkurt u zotua se do të vazhdojë mbështetjen për Rusinë gjatë luftës.
Në po të njëjtën ditë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se bashkëpunimi i Rusisë me Korenë e Veriut “do të vazhdojë që të zgjerohet”.