Aktualitet

Korridori VIII në fokus, Hoxha takon homologen bullgare

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, është pritur në një takim bilateral në Sofje nga ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Velislava Petrova, ku në qendër të diskutimeve ishte forcimi i bashkëpunimit dypalësh dhe rëndësia strategjike e Korridorit VIII.

Takimi u zhvillua në kuadër të aktiviteteve përmbyllëse të Presidencës bullgare të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) për periudhën 2025-2026.

Në një reagim pas takimit, Hoxha tha se bisedimet u fokusuan në thellimin e dialogut politik dhe zgjerimin e bashkëpunimit në sektorë kyç si energjia, infrastruktura dhe ndërlidhja strategjike.

“Diskutimet tona nxorën në pah rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të dialogut politik dhe zgjerimit të bashkëpunimit në fusha kyçe si energjia, infrastruktura dhe ndërlidhja strategjike”, u shpreh ai.

Sipas kryediplomatit shqiptar, një vëmendje e veçantë iu kushtua Korridorit VIII, të cilin e cilësoi si një projekt me rëndësi jetike për rajonin.

“Nënvizuam rëndësinë e Korridorit VIII, si një lidhje me rëndësi jetike midis rajoneve të Adriatikut dhe Detit të Zi, me potencial të konsiderueshëm për të rritur tregtinë, lëvizshmërinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në të gjithë Evropën Juglindore”, deklaroi Hoxha.

Dy ministrat shkëmbyen gjithashtu pikëpamje mbi zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, duke riafirmuar angazhimin për paqen, sigurinë dhe integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.

Hoxha vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe për një politikë të besueshme të zgjerimit.

Në takim u theksua edhe roli i minoriteteve kombëtare në të dy vendet, të cilat u cilësuan si ura bashkëpunimi dhe miqësie mes Shqipërisë dhe Bullgarisë.