Aktualitet

Doli publikisht në mbështetje të studentëve shqiptarë në RMV, Hoxha largon ambasadorin Meidani!

Denion Meidani nuk do të jetë më ambasador i Shqipërisë në Shkup. Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha mund të firmosë “shkëmbimin” e pozicioneve me ambasadorin në Prishtinë, Petrit Malaj.

Shkak për këtë lëvizje në diplomaci duket se janë bërë qëndrimet që Meidani, djali i ish-presidentit Rexhep Meidani, ka shprehur publikisht në mbështetje të protestës së studentëve shqiptarë.

Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha ka marrë disa ankesa nga partia qeverisëse VMRO dhe aleati i saj shqiptar, VLEN ndaj ambasadorit tonë në Shkup, raporton “Top Channel”, duke iu referuar burimeve diplomatike.

Ankesat duket se kanë kulmuar me qëndrimet publike të Meidanit, i cili ka dalë hapur pro studentëve shqiptarë, edhe në protestën e fundit të mbajtur në Shkup.

Nisur nga ankesat e ardhura nga Shkupi zyrtar, në korridoret diplomatike të Tiranës, po diskutohet një ndërprerje përpara kohe e mandatit të Meidanit në Shkup dhe zëvendësimi i tij “kokë më kokë” me ambasadorin tonë në Prishtinë Petrit Malaj.

Ambasadori i Shqipërisë në Shkup në një reagim të publikuar në Facebook më 19 maj, shprehet se studentët shqiptarë “nuk kërkojnë privilegje”, por “kërkojnë dinjitet, barazi dhe respekt për të drejtat themelore.”

Peticion pro ambasadorit Meidani

Pas publikimit të disa lajmeve, në rrjetet sociale për këtë lëvizje në aksin Shkup- Prishtinë, të shumtë kanë qenë intelektualët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut që kanë dalë në mbrojtje të Meidanit.

Për mos largimin e Meidanit nga Shkupi, janë mbledhur mbi 3100 firma për peticion. Peticioni i është drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe ministritë të Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha.

Gazetari dhe botuesi Lirim Dullovi shkruan në faqen e tij në Facebook “Shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë nevojë për ambasadorë që heshtin për të ruajtur rehati diplomatike, por për përfaqësues që nuk turpërohen të mbrojnë gjuhën, dinjitetin dhe identitetin shqiptar. Nëse çmimi për të pasur marrëdhënie të mira mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është zëvendësimi i ambasadorit Denion Meidani me ambasadorë që bëjnë qejfin e kësaj garniture qeveritare, atëherë Tirana zyrtare më mirë ta mbyllë ambasadën e saj në Shkup sesa të pranojë këtë nënshtrim dhe poshtërim të pashembullt”.

Ndërsa gazetari Rami Mislimi shkruan “Të kërkosh largimin e ambasadorit Meidani, ambasadorit që kujdeset për popullin e vet, e për hallet e shqiptarëve dhe për interesin kombëtar, këtë mund ta bëjë vetëm një qeveri ku merr pjesë VLEN”.