Deputetët vazhdojnë të dështojnë të konstituojnë përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës edhe katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, duke e lënë vendin pa institucione të reja. Sot u mblodhën për të 32-ën herë radhazi, por pa sukses në zhbllokimin e ngërçit politik. Të martën e 17 qershorit pritet përpjekja e radhës.
Në seancën e sotme u pa një interesim i vogël edhe për të marrë pjesë. Madje, vetëm 75 deputetë ishin të pranishëm nga 120 sa ka Kuvendi i Kosovës. Dështimi i radhës ndodh disa ditë pasi kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku shpalosi një agjendë me 15 pika për një qeveri të unitetit, duke i ftuar të gjitha partitë parlamentare ta formojnë, si mënyrë për të dalë nga kriza politike.
Propozimi i LDK-së u kundërshtua menjëherë nga Lëvizja Vetëvendosje ndërsa Partia Demokratike e Kosovës preferon një ekzekutiv mes partive që mandatin e kaluar ishin në opozitë. Një koalicion të tillë preferon edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi, e kundërshtoi përsëri propozimin e LDK-së, si “absurditet i llojit të vet”.
Ne e kemi diskutuar atë plan dhe kemi arritur në përfundim se ai propozim ka vështirësi të patejkalueshme logjike për t’i kuptuar. Si mund të presë Abdixhiku që ne, si VV, mund të pajtohemi për 15 pika kaq të mëdha, kur nuk po pajtohemi për një send më të vogël, që është votimi i një komisioni për votim të fshehtë.
Çështja ka ngecur te emërimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Kjo ishte hera e 24-rt që Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe, nuk propozuan nga një anëtar për formimin e komisionit për votim të fshehtë për kandidaten e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit, meqë Haxhiu nuk ka arritur t’i marrë 61 votat e domosdoshme në votim të hapur.
Vetëvendosjes, si fituese të zgjedhjeve, i takon të propozojë kandidatin për kryetar Kuvendi dhe këmbëngul se Haxhiu është figura e duhur, ndonëse për partitë tjera, nuk është e pranueshme dhe konsiderohet “figurë përçarëse”.
Çështja e ndërrimit të mënyrës së votimit nga e hapur në të fshehtë është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga parti që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.