Rajoni

Kosovë, aktakuzë në mungesë ndaj dy personave për krime lufte në Kaçanik!

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj dy personave, me inicialet J.J. dhe V.T., për veprën penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile.

J.J. dhe V.T. akuzohen se, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, kanë vrarë dy persona, të identifikuar me inicialet R.E. dhe M.H., në fshatin Kaçanik i Vjetër, në komunën e Kaçanikut.

Sipas aktakuzës, në periudhën 1998-1999, të pandehurit kanë “rrahur, kanë shkaktuar maltretime fizike dhe psikike, dhe kanë plaçkitur pasurinë e luajtshme të të dëmtuarit SH.D. dhe viktimave, tani të ndjerëve M.H. dhe R. E.”.

Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që ndaj të akuzuarve të ketë gjykim në mungesë për shkak se “janë të paarritshëm për organet e drejtësisë”.

Gjykimi në mungesë mundësohet në Kosovë pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, të bëra në vitin 2022. Por, të tilla procese mund të zhvillohen vetëm me kushtin që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për të siguruar praninë e të akuzuarit.

Kodi përcakton se personat që gjykohen në mungesë kanë të drejtë për një rigjykim pa kushte, kur të arrestohen. Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, që nga hyrja në fuqi e ligjit për gjykimet në mungesë e deri në shkurt të vitit 2025, janë ngritur 50 aktakuza në mungesë ndaj 73 anëtarëve të forcave serbe, të dyshuar se kanë kryer krime lufte në Kosovë.

Ndërkaq, aktgjykimi i parë në mungesë nisi dhjetorin e kaluar në rastin e Çedomir Aksiçit, i cili u dënua me 15 vjet burg për krime lufte kundër popullatës civile. Gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998/99 u vranë mbi 13 mijë civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën. Rreth 1 mijë e 600 persona, kryesisht shqiptarë, ende rezultojnë të zhdukur. Ndër vite, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë akuzuar ose dënuar disa persona për krime lufte.