Në Kosovë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po pret që të përfundojnë procedurat ligjore, që më pas të vendosë për futjen në rend dite të çështjes së certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Një ditë më parë, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) anuloi vendimin e KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe dhe e urdhëroi që ta certifikojë këtë parti.
Për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi u shpreh:
Në vendimin e PZAP-it ka këshillë juridike, sipas së cilës lejohet ankesa kundër tij në Gjykatën Supreme, brenda 48 orëve nga momenti i marrjes së vendimit. Andaj, KQZ, para caktimit të kësaj çështje për në rend dite, do të presë përfundimin e procedurave ligjore.
Dy ditë më parë, përfaqësuesit e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, votuan kundër certifikimit të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë e që gëzon mbështetjen e Beogradit. Përfaqësuesit e partive të tjera abstenuan.
Lista Serbe, që këtë veprim e quajti “të paligjshëm”, mirëpriti vendimin e PZAP-it e tha se ishte përpjekje “për eliminimin e Listës Serbe” nga procesi zgjedhor. Në vendim, PZAP u shpreh:
Zyra për regjistrim, certifikim dhe kontroll financiar të subjekteve politike kishte rekomanduar që Lista Serbe të certifikohej pasi kishte dorëzuar dokumentacionin në përputhje me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe me rregullat e tjera të KQZ-së.
Pra, sipas panelit, “Lista Serbe ka plotësuar kriteret pasi ka dorëzuar “deklaratën politike”, listën e kandidatëve dhe aplikimin për secilin kandidat.
Për këtë parti, Zyra për Regjistrim dhe Certifikim ka marrë informacionet nga institucionet përgjegjëse për verifikimin e partive, ashtu siç kërkohet me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.
Paneli i gjyqtarëve, i përbërë nga Arsim Hamzaj kryesues, Kujtim Pasuli, Hidajete Gashi-Alaj e Bujar Muzaqi tha:
Sipas Ligjit për Zgjedhje, KQZ-ja e certifikon subjektin politik me të drejtë pjesëmarrjeje nëse i njëjti e dorëzon aplikimin e dorëzuar në formën e përshkruar dhe në datën e vendosur nga rregullat e KQZ-së.
Njohësit e zhvillimeve politike i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se moscertifikimi i Listës Serbe nga KQZ-ja ishte pjesë e fushatës parazgjedhore. Ata paralajmëruan se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa do të marrë vendim në favor të Listës Serbe dhe do të detyrojë KQZ-në ta certifikojë këtë parti. Lista Serbe ka njoftuar se do të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit pas një periudhe të bojkotimit të proceseve politike në Kosovë.