Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të ketë rinumërim të plotë të të gjitha votave në vendvotimet në 28 komuna të Kosovës. Po ashtu, u ra dakord të shkarkohet përfaqësuesit politikë në Komisionin Komunal Zgjedhor në Prizren, ku sipas kreut të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, janë vërejtur dallimet më të mëdha në votat për kandidatët për deputetë.
Paraprakisht, në këto 28 komuna KQZ-ja kishte vendosur që të rinumëroheshin vetëm 10% e vendvotimeve, ndërsa në 10 komuna të tjera vendosi për rinumërim të plotë.
Vendimi i sotëm vjen pasi gjatë rinumërimit të pjesshëm u vërejtën dallime të mëdha në votat për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit të vitit 2025. Pas zbulimit të këtyre devijimeve, partitë dhe organizatat e shoqërisë civile kërkuan rinumërim të plotë të votave.