Rajoni

Kosovë, nis gjykimi për rastin e Rezervave Shtetërore, seanca mbyllet për publikun!

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë nisi seanca fillestare për rastin e Rezervave Shtetërore, me të akuzuar edhe ministren në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari. Gjyqtari Avni Syla, vendosi që seanca të jetë e mbyllur për publikun, për shkak të ruajtjes së informacioneve të klasifikuara.

Avokatët kërkuan që para se të vazhdojë seanca, të nisë procesi i deklasifikimit të dokumenteve. Në të kundërt, pritet të vihen para përgjegjësisë penale pasi nuk kanë certifikatë sigurie, që duhet për të pasur akses në dokumente të klasifikuara.

Akuza ndaj Hajdarit ishte ngritur më 11 nëntor të vitit të kaluar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, që e akuzon për keqpërdorim të Rezervave Shtetërore.

Sipas aktakuzës, Hajdari me dy zyrtarë të MINT-it i kanë shkaktuar rreth 3 milion euro dëm Buxhetit të Kosovës në muajt shkurt dhe mars të vitit 2022, kur dyshohet se blenë një sasi vaji e gruri jashtë vendit, por që kurrë nuk shkoi në Kosovë.

Dështimi i mëparshëm i seancës fillestare

Seanca fillestare ishte caktuar edhe më 10 dhjetor të vitit të kaluar, por pati dështuar për shkak se Hajdari dhe avokati i të akuzuarit tjetër, Irfan Lipovica nuk ishin të pranishëm. Kryetari i trupit gjykues, Avni Syla deklaronte:

Hajdarit iu dërguaa ftesa për pjesëmarrje përmes postës, por nuk mori përgjigje nëse ajo e ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt.

Më pas, Hajdari shkroi në Facebook se nuk ka pranuar ndonjë thirrje për seancë nga ana e Gjykatës.

Në momentin që e pranoj thirrjen nga Gjykata, për seancën e ardhshme, do të paraqitem në seancë gjyqësore.