Aktualitet Rajoni

Kosovë, Osmani cakton Kurtin mandatar për formimin e Qeverisë së re! Sonte votimi!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar sot se, në përputhje me Kushtetutën, ka caktuar Albin Kurtin si mandatar për formimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës.

Osmani i ka uruar Kurtit suksese në udhëheqjen e qeverisë së re dhe punë në shërbim të qytetarëve të Kosovës.

“Ju priftë e mbara!”, shkroi presidentja në postimin e saj në Facebook.

Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet së shpejti në një seancë të re për votimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës.

Begaj uron Haxhiun për zgjedhjen në krye të Kuvendit të Kosovës
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, uroi Kuvendin e Republikës së Kosovës për nisjen e punimeve në legjislaturën e dhjetë, si dhe Albulena Haxhiun për zgjedhjen e saj në postin e kryetares së Kuvendit. Përmes një mesazhi në Facebook, Begaj shprehu mbështetjen e Shqipërisë për institucionet demokratike të Kosovës dhe theksoi se Tirana do të vazhdojë të qëndrojë pranë Prishtinës në rrugëtimin e saj euroatlantik.

Kronologjia:

Kuvendi i Kosovës u konstituua sot me zgjedhjen e kryetares Albulena Haxhiu dhe pesë nënkryetarëve: Ardian Gola, Vlora Çitaku, Kujtim Shala, Sllavko Simiq dhe Emillija Rexhepi.

Në fjalimin e saj të parë, Haxhiu tha se do të sigurojë funksionim me dinjitet të Kuvendit, në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën.

Presidentja Vjosa Osmani bëri thirrje për bashkëpunim konstruktiv dhe një Kuvend plotësisht funksional, në shërbim të shtetit të së drejtës dhe agjendës euroatlantike.

Sonte pritet të mbahet edhe një seancë tjetër për votimin e Qeverisë.

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar te presidentja propozimin për caktimin e Albin Kurtit si mandatar për formimin e Qeverisë së re.