Aktualitet Rajoni

Konstituohet Kuvendi i Kosovës, pritet edhe votimi i Qeverisë!

Kryetarja e sapozgjedhur e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, shpalli të konstituuar institucionin ligjvënës, pas zgjedhjes së saj dhe të pesë nënkryetarëve.

Haxhiu paralajmëroi për sot edhe një seancë tjetër – atë për votimin e Qeverisë së re të Kosovës, me në Krye Albin Kurtin. Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje fitoi më shumë se 51 % të votave apo 57 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës mori 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 15, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 6. 20 ulëse janë të rezervuara për komunitetet.

Depuetët e pranishëm në sallë votuan me 104 vota për pesë nënkryetarët e Kuvendit.

Kundër ishin tre, ndërsa gjashtë abstenuan.

Nënkryetarë:
Ardian Gola – Lëvizja Vetëvendosje
Vlora Çitaku – Partia Demokratike e Kosovës
Kujtim Shala – Lidhja Demokratike e Kosovës
Sllavko Simiç – Lista Serbe
Emillija Rexhepi – komunitetet pakicë joserbe

Albulena Haxhiu u zgjodh kryetare e Kuvendit të Kosovës.

Ajo e nisi mandatin e saj me një fjalim para deputetëve, gjatë të cilit theksoi rëndësinë e funksionimit të institucioneve dhe shërbimit ndaj qytetarëve.

“Të jesh në krye të Kuvendit do të thotë t’i shërbesh Republikës. Kuvendi është shtëpia e të gjithë qytetarëve tanë”, tha Haxhiu.

Ajo shtoi se detyra e saj kryesore do të jetë të sigurojë që Kuvendi të funksionojë me dinjitet dhe në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën.

“Një Kuvend funksional është parakusht për një shtet të fortë dhe një demokraci të qëndrueshme. Sot në këtë sallë kemi një detyrë të përbashkët: t’u shërbejmë qytetarëve me ndershmëri. Kemi dallime, por përgjegjësitë i kemi të përbashkëta”, theksoi Haxhiu.