Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot takon liderët partiakë, për të diskutuar datën e zgjedhjeve të reja, sipas raportimeve të mediave vendase. Radio Evropa e Lirë (REL) kërkon një konfirmim prej Zyrës së Presidencës nëse do të mbahet takimi, por nuk ka marrë përgjigje.
Kryetari i Partisë Demokratike, Bedri Hamza, u shpreh se partia e tij preferon datën 21 dhjetor për votimet e reja.
Raportimet për këtë takim vijnë pasi nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Glauk Konjufca, nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme për të formuar qeverinë e re, një ditë më parë.
Ashtu si Konjufca, as lideri i LVV-së, Albin Kurti, nuk pati arritur të krijonte ekzekutivin e ri më 26 tetor. Për pasojë, Kosova vazhdon të jetë me qeveri në detyrë prej zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025.
Partitë më të mëdha politike shqiptare nuk kanë arritur konsensus për një sërë çështjesh që prej mbajtjes së procesit zgjedhor dhe për pasojë, proceset janë zvarritur deri më tani.
Sipas Kushtetutës, nëse qeverinë nuk arrin ta formojë as mandatari i dytë, presidentja Osmani duhet të shpallë zgjedhjet e reja e që duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e shpalljes.
Zyra e Presidencës nuk i është përgjigjur kërkesës së REL-it për kohën e mundshme të shpalljes së zgjedhjeve.
Deri më tani, si datë e mundshme është përmendur 28 dhjetori, edhe për shkak të pranisë së madhe të diasporës në Kosovë.
Por, për njohësit e çështjeve politike, kjo datë është shumë e vonshme, pasi ka rrezik që procesin zgjedhor të mos e monitorojë faktori ndërkombëtar, meqë një pjesë e botës do të jetë në kohë festash.