Gjatë kontrollit të shtëpisë të të arrestuarit për përfshirje në plagosjen dhe rrëmbimin e shtetasit të Kosovës, Milan Vukashinoviç, policia gjeti një armë e disa fishekë.
Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar si prova materiale: nëntë telefona celularë, një laptop, tri dokumente të formatit A4, një pushkë gjuetie me 39 fishekë, një jelek për fishekë të armës së gjuetisë, si dhe një tytë arme. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Mbrëmjen e djeshme, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari, V.M., ka qenë pjesëtar i Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe më pas i qe bashkuar Policisë së Kosovës nga ku pati dhënë dorëheqje.
Ekzistojnë dyshime të bazuara se personi i arrestuar ka bashkëpunuar dhe ka mbështetur në vazhdimësi strukturat e sigurisë së Serbisë, përfshirë edhe kidnapimin e Millan Vukashinoviq, i cili gjatë kidnapimit u plagos rëndë dhe aktualisht është duke u trajtuar në një spital në Serbi, shkroi Sveçla në Facebook.
Sipas autoriteteve të Kosovës, Vukashinoviç u plagos dhe më pas u rrëmbye në fshatin Jellakcë, afër Leposaviçit më 1 nëntor, para se të dërgohej në spitalin e Prokuples e më tej në Qendrën Klinike të Nishit.
Familja e tij dorëzoi padi në Serbi kundër disa personave, anëtarë të Ushtrisë së Serbisë e Ministrisë së Punëve të Brendshme po të Serbisë, si edhe ndaj Milan Radoiçiçit, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili pati marrë përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, më 2023-shin.
Vukashinoviç ka qenë i punësuar në Byronë e Sigurimeve të Kosovës në pikën kufitare të Jarinjës, në veri të Kosovës. Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka deklaruar më herët se Milan Vukashinoviç u sulmua sepse kundërshton “politikat e regjimit të presidentit të serb, Aleksander Vuçiç”.
Në intervistë, deklaronte se serbët ishin detyruar të largoheshin nga institucionet e Kosovës në nëntor 2022, nën presionin e Listës Serbe dhe se edhe ai vetë kishte qenë viktimë e presioneve, duke shtuar se nuk ndihej i sigurt të udhëtonte në Serbi pasi refuzonte të dorëhiqej.