Rajoni

Presidenti serb Vuçiç thotë se pret “ofensivë të re” nga kryeministri i Kosovës, Kurti!

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç pret një “ofensivë të re” nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke pretenduar se kjo “ofensivë” do të përkojë me atë të forcave ukrainase në luftën kundër Rusisë. Në një intervistë televizive dhënë për TV Prva, Vuçiç përsëriti pretendimet se aleatët perëndimorë nuk shqetësohen aspak për të drejtat e serbëve në Kosovë.

Ai tha se të drejtat e tyre po shkelen, se ata “i janë ekspozuar terrorit” dhe se pjesëtarët e komunitetit serb që janë arrestuar në javët e fundit në Kosovë, janë të pafajshëm.

Deklarata vjen në kohën e tensioneve të rritura në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është ajo serbe. Që nga data 26 maj, serbët protestojnë kundër kryetarëve shqiptarë të komunave e po ashtu kërkojnë tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Autoritetet e Kosovës arrestuan disa pjesëtarë të komunitetit serb, që dyshohet se kanë marrë pjesë në dhunën kundër pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Policisë së Kosovës, si dhe gazetarëve që raportojnë nga veriu.

Të arrestuarit janë identifikuar si shtetasit: Dushan Obrenoviç, Radosh Petroviç, Milun Milenkoviç-Lune, Dalibor Spasiç, Urosh Vukashinoviç, Nemanja Vlashkoviç, Milan Bozhoviç e Slladan Trajkoviç. Të gjithë janë në paraburgim, me përjashtim të Radosh Petroviçit, i cili po mbrohet në liri.

Serbia dhe pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë i konsiderojnë këto arrestime si “arbitrare”.

Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbisë që t’i ulin urgjentisht tensionet e që Prishtina të organizojë zgjedhjet e reja. Ditët e fundit, Bashkimi Europian foli dhe për masa ndëshkuese të përkohshme të vendosura ndaj Kosovës.

Ndërkohë, Vuçiç ka përsëritur se Serbia nuk do t’i vendosë sanksione Rusisë për luftën në Ukrainë që vijon prej rreth një viti e gjysmë dhe ka vënë në dukje se nuk i kanë dërguar “as edhe një armë të vetme” Rusisë e Ukrainës.