Një ngjarje tragjike ka tronditur Turqinë, ku Ana Bárbara Buhr Buldrini, modele dhe influencuese e njohur ka ndërruar jetë gjatë muajit të mjaltit në vendin ku ndodhej me bashkëshortin e saj, artisti plastik Elgar Sueia. Sipas informacioneve të bëra publike, Ana kishte zgjedhur Turqinë si destinacion jo vetëm për pushime, por edhe për të realizuar një bashkëpunim publicitar me një klinikë estetike. Influencerja kishte pranuar t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje të trefishtë kirurgjikale, që përfshinte një liposuksion të plotë, në këmbim të një publikimi promovues në rrjetet e saj sociale.
Fatkeqësisht, ndërhyrja që në fillim dukej se po shkonte normalisht, mori një kthesë tragjike sapo Ana doli nga anestezia. Ajo pësoi aritmi kardiake dhe pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta reanimuar, nuk u arrit të shpëtohej. Lajmin e hidhur e ka ndarë vetë bashkëshorti i saj, i cili sqaroi se ndërhyrja ishte pjesë e një marrëveshjeje publicitare. “Ishte një bashkëpunim me klinikën në këmbim të një postimi. Humbja e gruas së jetës sime më ka lënë pa fjalë. Uroj që drita e saj të vazhdojë të shkëlqejë atje ku ndodhet”-ka shkruar ai. Pas tragjedisë, autoritetet turke kanë nisur një hetim zyrtar për të zbuluar rrethanat e plota të vdekjes.