Shkrimtari dhe producenti i njohur britanik Russell T Davies ka folur për herë të parë hapur për lidhjen e tij me partnerin e ri, modelin australian Oliver Cole, duke rrëfyer se ka gjetur sërish lumturinë pas viteve të vështira që pasuan humbjen e bashkëshortit të tij.
Krijuesi 63-vjeçar i serialit të famshëm “Doctor Who” zbuloi se ndihet jashtëzakonisht me fat që ka gjetur dashurinë përsëri, rreth një vit pasi nisi lidhja me Oliver Cole, i cili është 27 vjeç.
Davies pranoi se pas vdekjes së bashkëshortit të tij, Andrew Smith, në vitin 2018, kishte menduar se kapitulli i dashurisë në jetën e tij kishte marrë fund.
Ai kujtoi periudhën e vështirë gjatë së cilës u kujdes për partnerin e tij, i cili humbi betejën me një tumor në tru, duke lënë për një kohë edhe angazhimet profesionale për të qenë pranë tij.
Mendova se ajo pjesë e jetës sime kishte përfunduar
-ka rrëfyer producenti britanik, duke treguar se rikthimi i dashurisë në jetën e tij ishte diçka që nuk e kishte parashikuar.
Prej muajsh, Davies dhe Oliver Cole janë parë së bashku në evente të ndryshme, udhëtime dhe dalje publike, ndërsa nuk kanë munguar as fotografitë dhe momentet e përbashkëta të ndara në rrjetet sociale.
Edhe pse mes tyre ekziston një diferencë moshe prej 35 vitesh, burime pranë çiftit kanë treguar se ata kanë krijuar një lidhje të fortë dhe ndajnë të njëjtat interesa dhe vlera.
Russell T Davies konsiderohet një nga emrat më të rëndësishëm të televizionit britanik, falë punës së tij në “Doctor Who”, “Queer as Folk”, “It’s A Sin” dhe shumë projekte të tjera të suksesshme.
Pas viteve të mbushura me dhimbje dhe humbje personale, producenti duket se ka gjetur sërish qetësinë dhe lumturinë në jetën private, duke nisur një kapitull të ri pranë partnerit të tij të ri.