Gossip Showbiz

Kristen Stewart e revoltuar ndaj Hollywood-it: “Aktoret trajtohen si plehra…”

Kristen Stewart ka folur hapur për mënyrën se si aktoret trajtohen në industrinë e filmit, duke theksuar se mungesa e respektit dhe nënvlerësimi mbeten ende probleme të thella dhe të rrënjosura.

Në një intervistë të kohëve të fundit, aktorja theksoi se kjo situatë është një nga arsyet kryesore pse ajo po i drejtohet gjithnjë e më shumë regjisë.

Sipas Stewart, aktoret shpesh perceptohen si lehtësisht të zëvendësueshme dhe të nënvlerësuara intelektualisht, sikur puna e tyre të mos kërkojë aftësi, përgatitje apo kontribut krijues.

Ky mentalitet, thotë ajo, ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si gratë trajtohen si në sheshxhirim, ashtu edhe jashtë tij.

Duhet t’ju them se aktoret trajtohen si plehra

-u shpreh Stewart pa doreza, duke e cilësuar këtë qasje si të zakonshme në industri.

Aktorja tregoi se përvoja e saj ndryshoi ndjeshëm në momentin që u prezantua në projekte si regjisore. Sipas saj, mënyra se si njerëzit i drejtoheshin dhe e dëgjonin ishte krejtësisht tjetër.

Herën e parë që u ula të flisja për filmin tim si regjisore, mendova: uau, kjo është një përvojë tjetër. Ata po më flisnin sikur të isha dikush tjetër

-tha ajo.

Ky kontrast, sipas Stewart, ishte tronditës dhe nxori në pah mungesën e besimit që zakonisht u jepet aktoreve, pavarësisht faktit se ato shpesh janë thellësisht të përfshira në procesin krijues dhe artistik të një filmi.

Ajo shtoi se industria e filmit vazhdon të ushqejë mitin e regjisorit si një figurë gjeniale pothuajse mbinatyrore, një ide që, sipas saj, është kryesisht e ndërtuar dhe e mbajtur gjallë nga burrat.

Nuk dua të dukem sikur ankohem gjithmonë, por aktoret e kanë më keq se aktorët. Ato trajtohen si kukulla, por nuk janë

-përfundoi Stewart.