Aktorja Amanda Peet ka vendosur të flasë pa filtra për realitetin pas shkëlqimit të Hollywood-it, duke rrëzuar mitin e një jete perfekte dhe duke e cilësuar industrinë si një botë plot iluzione.
Në një rrëfim të sinqertë, ajo theksoi se fama dhe suksesi shpesh perceptohen gabimisht nga publiku.
Është një iluzion, nuk ka asgjë atje. Dëshpërimi është kudo… gjithmonë lind pyetja: ‘Pse nuk jam unë aty? Pse nuk dukem kështu?’
-u shpreh ajo, duke nxjerrë në pah presionin dhe pasiguritë që përjetojnë edhe vetë yjet.
Peet foli gjithashtu për konkurrencën e fortë në industrinë e filmit, duke e përshkruar si një garë të ashpër ku shumë njerëz luftojnë për një mundësi të vogël.
Sipas saj, është e lehtë të biesh në mendësinë se “torta është e vogël”, ndërsa kërkesat janë të mëdha.
Një tjetër sfidë që ajo ngriti është plakja në një industri që favorizon rininë. Aktorja pranoi se me kalimin e viteve ka gjetur më shumë qetësi, por mbetet e vështirë të mos ndikohesh nga presioni për të ruajtur famën dhe suksesin.
Aktualisht, Amanda Peet është pjesë e sezonit të dytë të Your Friends & Neighbors, ku historia pritet të bëhet edhe më intensive dhe plot tension.
Në intervistë, ajo preku edhe tema personale, përfshirë përvojën me menopauzën, të cilën e ka reflektuar përmes rolit të saj, si dhe një moment shumë të vështirë në jetën e saj, diagnozën me kancer në gji.
Mendova për fëmijët e mi dhe u ndjeva e tmerruar
-rrëfeu ajo, duke treguar një anë të ndjeshme dhe njerëzore, larg imazhit të përsosur që shpesh shfaqet në ekran.