Parisi ndodhet përballë një krize të re politike, pasi qeveria minoritare e kryeministrit François Bayrou rrezikon të rrëzohet në një votëbesim vendimtar për buxhetin prej 43,8 miliardë eurosh.
Në rast se qeveria bie, presidenti Emmanuel Macron pritet të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare brenda pak javësh.
Në këtë sfond, Marine Le Pen, ndonëse ligjërisht e përjashtuar nga pjesëmarrja në zgjedhje pas një dënimi për shpërdorim fondesh, ka deklaruar se është e gatshme të sfidojë ndalimin dhe të kandidojë.
Siç raporton Politico, strategjia e saj është të apelojë menjëherë ndalimin në Gjykatën Kushtetuese të Francës, duke kërkuar një vendim të shpejtë.
Le Pen është dënuar në mars për shpërdorim fondesh, çka e skualifikon nga çdo garë zgjedhore, por ajo ka apeluar vendimin dhe ka vendosur të mos presë përfundimin e procesit, i cili mund të zgjasë deri në verën e vitit 2026.
“Po të pyesni nëse kemi besim në këtë qeveri, përgjigjja është jo, nuk kemi,” tha Le Pen pas një takimi me kryeministrin Bayrou.
Ajo ka deklaruar që prej korrikut se do të marrë pjesë në çdo zgjedhje të re, pavarësisht pengesave ligjore. Sipas burimeve nga partia e saj, Tubimi Kombëtar, nuk ka diskutim për zëvendësimin e saj me një tjetër kandidat.
Nëse shpallen zgjedhjet, Le Pen pritet të paraqesë kandidaturën e saj pranë autoriteteve zgjedhore, e vetëdijshme se do të refuzohet.
Më pas, do të ndjekë rrugën ligjore duke ankimuar vendimin në gjykatën administrative dhe, nëse është e nevojshme, edhe në Gjykatën Kushtetuese, me shpresën se çështja e saj do të trajtohet me përparësi.
Megjithatë, ekspertët juridikë në Francë theksojnë se procedura zakonisht zgjat të paktën gjashtë muaj, çka do ta përjashtonte automatikisht nga çdo zgjedhje e afërt. Ekipi i saj ligjor, nga ana tjetër, argumenton se ka precedentë kur raste të ngjashme janë trajtuar shumë më shpejt, si në vitin 2017, kur një vendim i ngjashëm u mor në favor të partisë së Macron pak para zgjedhjeve.
Ekspertët paralajmërojnë se rasti i atëhershëm nuk mund të krahasohet me çështjen e Le Pen, e cila përfshin një dënim penal të formës së prerë në shkallën e parë.
Ndërkohë, Le Pen po intensifikon aktivitetin e saj politik edhe në nivel evropian. Ajo ka paralajmëruar një mocion mosbesimi kundër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me pretekst marrëveshjen e re të tregtisë së lirë mes BE-së dhe vendeve të Mercosur.