Sport

Në Francë e kapin me Olise: E vumë në një tryezë me Zidane e Platini, por nuk është as në kuzhinën e tij

Dy gjysmëfinale të nivelit më të lartë; ajo e Ligës së Kampioneve me Bayernin e Mynihut ndaj PSG, dhe ajo e Botërorit me Francën kundër Spanjës dhe në të dyja këto evente, paraqitja e Michael Olise la shumë për të dëshiruar.

Kishte shumë kuriozitet për ta parë në aksion në gjysmëfinale pas 5 asisteve të dhëna në këtë edicion të Kupës së Botës dhe rolit të liderit krijues të francezëve. Por ashtu sikurse edhe pjesa tjetër e skuadrës, Olise u bllokua krejt nga Rodri dhe Fabian Ruiz. Dhe në Francë, media nuk u kursye aspak me kritikat e ashpra të bëra në drejtim të tij.

‘E vendosëm Olise në një tryezë me Platini dhe Zidane, por nuk është as në kuzhinën e tij’-tha Daniel Riolo në programin After RMC-për herë të parë në 20 vjet në këtë program, pendohem shumë për disa komente që kam bërë’

Me këto fjalë gazetari iu referua elozheve që i kishte bërë Olise gjatë gjithë Botërorit 2026.

Edhe e përditshmja ‘L’Equipe’ nuk tregoi aspak mëshirë për futbollistin e Bayernit të Mynihut teksa e vlerësoi me notën 3.

‘Mesfushori i Bayernit të Mynihut u zhduk krejt dhe u kalua nga blloku difensiv dhe presingu i kombëtares spanjolle në gjysmëfinale’-shkruante e përditshmja prestigjioze franceze.

Për më tepër, Olise nuk e ndihmojnë as statistikat; 0 gjuajtje në portë, 0 driblime, 20 humbje topi, 50% e dueleve të fituara dhe 76% saktësi në pasime. Paraqitja e tij ishte kaq e dobët, sa Deschamps vendosi ta zëvendësojë në minutën e 72 me Cherki.