Bota

Krizë politike në Rumani, 7 ministra japin dorëheqjen, socialdemokratët largohen nga qeveria pro-europiane!

Një zhvillim i fortë politik ka tronditur Rumaninë të mërkurën. Shtatë ministra nga Partia Socialdemokrate (PSD) kanë dhënë dorëheqjen, pasi partia vendosi t’i mos mbështesë më kryeministrit Ilie Bolojan, duke i hapur rrugën kështu një krizë të re qeveritare.

Sipas mediave vendase, dorëheqjet u dorëzuan këtë të enjte në Pallatin Victoria, selia e qeverisë rumune, menjëherë pas vendimit politik të PSD-së për t’u distancuar nga kreu i ekzekutivit. Në një deklaratë zyrtare, partia e bëri të qartë se ky është hapi formal që vulos ndarjen me kryeministrin.

“Dorëheqjet përfaqësojnë aktin politik përmes të cilit formalizohet vendimi për të tërhequr mbështetjen për kryeministrin Ilie Bolojan”, thuhet në reagimin e PSD.

Megjithatë, lëvizja nuk do të thotë bllokim total i institucioneve. Socialdemokratët kanë lënë të hapur një derë bashkëpunimi: deri në krijimin e një qeverie të re, ata do të vazhdojnë të japin mbështetje në Parlament për miratimin e ligjeve kyçe, sidomos për projektet që financohen nga fondet e Bashkimit Europian.

LEXO EDHE: Pak minuta pasi urdhëroi të qëllohet mbi anijet iraniane në Hormuz, Trump sulmon sërish Iranin: Nuk dinë as kë kanë udhëheqës!

Ndërkohë, në skenën politike po flitet hapur për një qeveri minorance si zgjidhja e radhës, në një moment kur vendi po përballet me një valë të re tensioni politik.

Kjo krizë nuk erdhi pa paralajmërim. Më 20 prill, PSD kishte njoftuar publikisht vendimin për të tërhequr mbështetjen ndaj Bolojan, duke çuar në zhvillimet e fundit.

LEXO EDHE: Ndihmuan forcat amerikane gjatë luftës në Afganistan, SHBA-ja planifikon zhvendosjen e mbi një mijë afganëve në Kongo

Kujtojmë që Ilie Bolojan mori drejtimin e qeverisë në qershor 2025, pasi siguroi votëbesimin në Parlament por përplasjet me partitë e ekstremit të djathtë mbi kufizimet buxhetore ishin të përsëritura.