Bota

Pak minuta pasi urdhëroi të qëllohet mbi anijet iraniane në Hormuz, Trump sulmon sërish Iranin: Nuk dinë as kë kanë udhëheqës!

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se Irani po përballet me paqartësi të brendshme mbi udhëheqjen e tij.

“Ata thjesht nuk e dinë se kush është udhëheqësi i tyre”, shkroi Trump në Truth Social, duke pretenduar se në vend ekziston një përplasje e fortë midis “përkrahësve të vijës së ashpër” dhe “të moderuarve”.

Në të njëjtin postim, ai shtoi se Shtetet e Bashkuara kanë “kontroll të plotë” mbi Ngushticën e Hormuzit, duke deklaruar se asnjë anije nuk mund të hyjë apo të dalë pa miratimin e SHBA-së.

Këto komente vijnë vetëm disa minuta pasi Trump pretendoi se i ka urdhëruar forcave detare amerikane të qëllojnë ndaj çdo anijeje iraniane që vendos mina në zonë.

“Kam urdhëruar Marinën e Shteteve të Bashkuara të qëllojë dhe fundosë çdo anije, sado e vogël (anijet e tyre luftarake janë të gjitha 159 në fund të detit!), që po vendos mina në ujërat e Ngushticës së Hormuzit”.

Një zyrtar i lartë i parlamentit iranian deklaroi se Teherani ka marrë të ardhurat e para nga tarifat e vendosura në Ngushticën strategjike të Hormuzit në kuadër të luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.

Të ardhurat e para nga tarifat e Ngushticës së Hormuzit janë depozituar në llogarinë e Bankës Qendrore”, tha nënkryetari i parlamentit Hamidreza Hajibabaei, sipas agjencisë Tasnim.

Edhe media të tjera iraniane raportuan të njëjtën deklaratë, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Ushtria amerikane ka njoftuar se sekuestruar një tjetër cisternë të lidhur me kontrabandën e naftës iraniane. Sipas Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së, cisterna është Majestic X dhe u sekuestrua në Oqeanin Indian.

Me armëpushimin që vijon por edhe me skenarin e rikthimit të luftës që nuk është hedhur poshtë, Irani paralajmëroi ashpër ushtrinë amerikane këtë të enjte.

Kreu i gjyqësorit iranian, Mohseni Ejei, kërcënoi me pasoja të rënda amerikanët nëse do të përpiqen të kalojnë me forcë nëpër ngushticën e Hormuzit.

“Dje, tre anije u gjunjëzuan në këtë kalim strategjik. Flota e Gardës Revolucionare, me skafet dhe dronët e saj, është në pritë nga shpellat detare të ishullit Farur, duke pritur anijet luftarake amerikane, gati të hapë zjarr mbrojtës dhe të shkaktojë kaos mes pushtuesve”, tha ai sipas mediave iraniane.

Parlamenti iranian dhe Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare po shqyrtojnë së bashku një plan për “kontroll sovran” mbi Ngushticën e Hormuzit. Këtë e bëri të ditur agjencia Mehr që saktësoi se ende nuk është vendosur se kush do të marrë vendimin përfundimtar.

Sekretari i Marinës së Shteteve të Bashkuara, John Phelan, është shkarkuar nga detyra pas disa muajsh tensionesh me kreun e Pentagonit, Pete Hegseth. Sipas raportimeve, Phelan komunikonte shpesh drejtpërdrejt me Trump dhe e takonte atë në rezidencën Mar-a-Lago, duke i propozuar personalisht plane për modernizimin e flotës detare, pa kaluar përmes Pentagonit. Kjo lëvizje ka shkaktuar pakënaqësi tek Hegseth, i cili nuk e ka pritur mirë anashkalimin.