Bota

Kryediplomati gjerman Maas: “Izraeli ka të drejtën e vetëmbrojtjes!”

Shefi i diplomacisë gjermane, Heiko Maas shprehu sot solidaritetin me Izraelin dhe kërkoi armëpushim ndërmjet këtij shteti e Hamasit palestinez që kontrollon Rripin e Gazës.

Pas takimit në Tel Aviv me homologun izraelit Gabi Ashkenazi, kryediplomati i Berlinit tha se “Ajo që po bën Izraeli në Rripin e Gazës është e mbuluar nga e drejta për vetëmbrojtje”.

Izraeli tani po e përdor këtë të drejtë dhe kjo e drejtë nënkupton të mos lejojë që objektet nga të cilat burojnë sulmet kundër shënjestrave izraelite të vazhdojnë të funksionojnë. Më lejoni të rithem shumë qartë: Për ne, siguria e Izraelit dhe bashkë me të siguria e të gjithë hebrenjve në Gjermani, nuk është e negociueshme!

Por Maas shprehu shqetësimin për numrin në rritje të viktimave ndaj theksoi mbështetje ndaj përpjekjeve ndërkombëtare për të vendosur armëpushim e që dhuna të përfundojë shpejt!

Në mbrëmje, ai do të pritet nga presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas në Ramallah, në Bregun Perëndimor të pushtuar por nuk do të ketë bisedime të drejtpërdrejta me Hamasin, organizatë e konsideruar “terroriste” nga Bashkimi Europian.

Në 10 ditë luftime, 227 persona kanë humbur jetën në Gaza e 12 në Izrael. Izraelitët iu kundërpërgjigjën me bombardime ajrore sulmeve me raketa të Hamasit.