Aktualitet Rajoni

Kryeministri Rama: Nga konflikti Kosovë-Serbi, fiton Rusia!

Tensionet në veriun e Kosovës që kanë kulmuar me arrestimin e tre policëve kufitarë nga Serbia, sërish në fokus të kryeministrit Rama. Ai vuri në dukje se pa kthimin e tyre në Kosovë, nuk mund të shtensionohet gjendja në veri. Pa lirimin e tyre paralajmëroi zero marrëdhënie me Beogradin

Këtu nuk bëhet fjalë për prishje të marrëdhënieve diplomatike, por marrëdhënie që kthehen në një pikë zero, këtu nuk ka marrëdhënie. Çdo komunikim me Serbinë do të jetë: lironi tre policët! Nëse nuk do të lirohen, një vit, dy, tre vite nuk do të këtë marrëdhënie. Nuk nënkuptoj ndalim kamioni.

Të mbahen peng tre njerëz të cilët nuk kanë bërë asnjë krim. Kjo tregon se Serbia duhet të angazhohet më seriozisht. Kjo nuk është se janë tre policë shqiptarë, por janë tre njerëz që mbahen peng atje nga një shtet.

Në një konferencë shtypi, ndërsa theksoi se po cënohemi si rajon, Rama i bëri thirrje Kurtit e Vuçiçit të dalin nga ajo që e quajti “politika e Tom&Jerry”. “Ky rajon nuk është as i Albinit e as i Aleksandrit. Kjo situatë i shkon për shtat vetëm Rusisë”, – tha Rama.

Për kryeministrin Rama, eshtë e domosdoshme që presidenti francez Macron e kancelari gjerman, Scholz të ndërhyjnë dhe me patjetër të shtyjnë zbatimin deri në fund të marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi. “Dy liderët të merren e të mbyllen brenda në një konferencë nën kujdesin dhe trysninë e kumbarëve të planit të dakordësuar në bazë. Në një konferencë normalizimi pa të drejtë dalje deri kur të përfundojë bashkëbisedimi”, – tha shefi i qeverisë.

Nuk kemi çfarë presim të reja pa u përfshirë drejtpërdrejtë. Duhet të shpëtojnë jo thjesht Kosovën e Serbinë nga përplasja, por të shpëtojnë rajonin nga shkatërrimi i të gjitha proceseve të nisura dhe asgjësimi i  procesit të Berlinit. Ajo që po gatuhet në veri është e tmerrshme dhe duhet ndalur me çdo kusht!

Në lidhje me kryeministrin Kurti u shpreh:

Ju mendoni që mua më jep kënaqësi fakti që meqë nuk jam dakord me Albinin në këtë temë e në këtë moment nuk i hapet asnjë derë dhe i kthehen mbrapsht vizitat e planifikuara në zyrat e homologëve në Europë apo Amerikë?! Përkundrazi më duket e tmerrshme! Apo që programe të caktuara të bashkëpunimit të BE-së me Kosovën kanë ngrirë. Nuk hyj tek ata që i konsideroj partnerët Zoti vetë. Zoti është mbi SHBA-të e mbi Shqipërinë, por në këtë rast është katastrofë të këputen në këtë farë feje lidhjet aq të fuqishme e të forta me bashkësinë euroatlantike.

Kryeministri Rama tha se është gati të takohet me Kurtin, por më parë ai duhet të shikojë se ku po e çon Kosovën.

Unë jam gati të takohem me Albinin në çdo moment. Në nivelin personal nuk ka asnjë problem. Mund ta shikoni vetë sa mirë shkojmë, por në nivelin konceptual kemi probleme të mëdha.