Aktualitet Bota

Kryeministri Rama pritet me ceremoni zyrtare në Romë, momenti kur takohet me Melonin!

Kryeministri Rama, i cili nisi sot vizitën e punës në Romë, Itali, u prit në ceremoni zyrtare nga Kryeministrja e Republikës së Italisë Giorgia Meloni në Pallatin Chigi, me të cilën zhvilloi më pas një takim kokë më kokë, me fokus ecurinë e bashkëpunimit mes dy vendeve, thellimin e marrëdhënieve mes tyre, si dhe çështjet me interes të përbashkët rajonal dhe evropian.

Vizita e kryeministrit Rama në Romë dhe Barcelonë zhvillohet në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare dhe forcimit të bashkëpunimit me partnerët evropianë.

Në vijim të vizitës, Rama do të marrë pjesë me ftesë të kryeministrit spanjoll, Pedro Sanchez, në mbledhjen e katërt të Samitit “Në Mbrojtje të Demokracisë” në Barcelonë.

Punimet e samitit do të përqendrohen te temat kyçe “Institucionet dhe multilaterizmi” dhe “Dezinformimi dhe teknologjia digjitale”, ku vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rregullimit të mjedisit dixhital për të luftuar dezinformimin, forcimit të institucioneve demokratike dhe multilateralizmit, si dhe promovimit të barazisë si themel i një demokracie të fortë.

LEXO EDHE: Djegia e pallatit pranë spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë, Braçe shkon në vendngjarje: Hetim të plotë dhe përgjegjësi maksimale ndaj kujtdo!

Gjatë Samitit, Kryeministri Rama do të zhvillojë gjithashtu takime bilaterale me kryeministrin Sanchez dhe me presidentin e Këshillit Evropian, António Costa.