Aktualitet Rajoni

Kryeministri Rama thirrje për lirimin e policëve të Kosovës/Nëse jo, rikthehet “akulli” me Serbinë!

Kryeministri Edi Rama reagon sërish në lidhje me rastin e tre policëve kufitarë të Kosovës të arrestuar nga serbët dhe që po mbahen në paraburgim 30 ditor. Ndërsa sërish i bën thirrje Beogradit t’i lirojë, shefi i qeverisë paralajmëron se nëse kjo nuk ndodh, këtë javë rikthehet “akulli” në marrëdhëniet Shqipëri-Serbi. Në një postim në rrjetet sociale shkruan:

Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen!

Nga ana tjetër nëse de-eskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova – sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar! Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFORin në krye të punës!

Një apel drejtuar Albin Kurtit. Kryeministrit të Kosovës, Rama i kërkon të dalë nga ajo që e quan “guacka e vetizolimit”.

E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFORit në Veriun e Kosovës! Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë! Koha është tani dhe po fluturon!

Një ditë më parë, Albin Kurti siguroi se shteti “po bën gjithçka” që tre policët kufitarë që po mbahen në paraburgim në Serbi, “të lirohen sa më shpejt, të pacënuar”. Më 14 qershor, po patrullonin në Leposaviç, pranë kufirit me Serbinë kur sipas Prishtinës u rrëmbyen nga forcat serbe. Serbia thotë se i arrestoi “në thellësi të territorit serb” dhe një gjykatë në Kralevë vendosi masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Albin Kurti sërish iu bëri thirrje faktorëve ndërkombëtarë ta dënojnë atë që e quan “agresion i Serbisë më 14 qershor”, kur njësitet speciale ushtarake e policore serbe rrëmbyen policët. “Në fillim të javës, ambasadori Jetish Jashari, shef i Zyrës Ndërlidhëse në Beograd do të arrijë t’i vizitojë këta tre policë”, – njoftoi kryeministri i Kosovës.