Rajoni

Albin Kurti: Po bëjmë gjithçka që tre policët e Kosovës të lirohen sa më shpejt!

Kryeministri Albin Kurti siguron se shteti “po bën gjithçka” që tre policët kufitarë që po mbahen në paraburgim në Serbi, “të lirohen sa më shpejt, të pacënuar”. Më 14 qershor, ata ishin duke patrulluar në Leposaviç, pranë kufirit me Serbinë kur sipas Prishtinës zyrtare, u rrëmbyen nga forcat serbe. Serbia thotë se i arrestoi “thellë” brenda territorit serb dhe një gjykatë në Kralevë vendosi masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

I ftojmë edhe një herë faktorët ndërkombëtarë që ta dënojnë agresionin e Serbisë më 14 qershor, kur njësitet e tyre speciale ushtarake e policore rrëmbyen policët tanë. Njësiti anti-terror dhe ai “Kobra” i ushtrisë rrëmbyen tre policët tanë në Leposaviç, të cilët ndodheshin pikërisht te një rrugë e mbyllur ilegale e kontrabandës. Sipas të gjitha gjasave, në bazë të lajmeve që kemi, në fillim të javës që vjen, ambasadori Jetish Jashari, shef i Zyrës Ndërlidhëse në Beograd do të arrijë t’i vizitojë këta tre policë.

Më herët gjatë javës, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Kreshnik Ahmeti, i tha Radios Evropa e Lirë se tre policët “po mbahen në kushte çnjerëzore, pa ushqim dhe pa trajtimin e duhur mjekësor”. Por, këto pretendime hidhen poshtë nga pala serbe, që akuzon Prishtinën për keqtrajtimin e serbëve të arrestuar.

Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës. Departamenti amerikan i Shtetit vuri në dukje se “arrestimi i tyre dhe mbajtja në paraburgim me akuza të pabaza kanë përkeqësuar situatën, tashmë të tensionuar”.

Ndërkaq, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, dy ditë më parë deklaroi se “bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku kanë qenë zyrtarët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit”. Rasti i tre policëve po ndodh në kohën e rritjes së tensioneve në veriun me shumicë serbe.

Tensionet në këtë pjesë nisën më 26 maj kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët e rinj shqiptarë të tre komunave, që të hyjnë në objektet komunale, mes kundërshtimit të serbëve atje. Kryetarët e rinj të katër komunave në veri u zgjodhën më 23 prill, në zgjedhjet që u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.

Tensionet kulmuan më 29 maj kur serbët u përplasën me ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Për pasojë u lënduan dhjetëra persona nga të dyja palët.