Në Serbi, kryetarja e Komunës së Preshevës me shumicë shqiptare, Ardita Sinani reagoi duke e quajtur “fakt të trishtë” ndalimin e përdorimit të flamurit kombëtar nga autoritetet serbe. Sipas pushtetares lokale, “ky akt paraqet qartë shtypjen sistematike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe zbehjen e identitetit të të drejtave legjitime që kanë shqiptarët”. Në një mesazh urimi të 28 Nëntorit, Sinani vuri në dukje se për herë të parë, këtë vit, festa po organizohet nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë.
Jemi të vendosur për të vazhduar betejën për kërkuar barazi dhe respekt. Diskriminimi dhe përpjekjet për të heshtur popullin shqiptar në Luginë të Preshevës nuk mund të ndalin përpjekjet për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe traditën.
Edhe pse shqiptarët në Luginën e Preshevës vazhdojnë të përballen me padrejtësi të thella dhe diskriminim të hapur, ne sot e më shumë se kurrë duhet të qëndrojmë të bashkuar. Eshtë fakt i trishtë që vetëm shqiptarëve në Serbi u ndalohet përdorimi i Flamurit Kombëtar, një simbol i shenjtë që përfaqëson identitetin dhe dinjitetin tonë kombëtar. Ky akt është një shprehje e qartë e shtypjes sistematike sistematike që synon të zbehë identitetin dhe të drejtat tona legjitime si popull në këto troje.
Flamuri që ka valuar ndër shekuj si simbol i unitetit dhe qëndresës do të vazhdojë të jetë burim i frymëzimit dhe krenarisë.
Edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, partisë shqiptare opozitare në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti uroi 112-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Në një postim në rrjetet sociale, Ahmeti shkuan se “angazhimet tona nuk duhet t’i ndalim asnjëherë, për arsye se liria nuk është një destinacion por një rrugëtim i përhershëm dhe i pandalshëm”. Sipas Ahmetit, “ky përvjetor i 112-të i ditëve më të shenjta të kombit tonë shqiptar na përkujton që përpjekjet për liri, barazi, pavarësi, flamur dhe gjuhë, janë të përditshme dhe angazhimet tona nuk duhet t’i ndalim asnjëherë”.
Të dashur vëllezër e motra bashkëatdhetarë,
Ju uroj nga zemra ditën e flamurit dhe të pavarësisë së Shqipërisë.
Ky përvjetor i 112-të i ditëve më të shenjta të kombit tonë shqiptar na përkujton që përpjekjet për liri, barazi, pavarësi, flamur, gjuhë janë të përditshme dhe angazhimet tona nuk duhet ti ndalim asnjëherë, për arsye se liria nuk është një destinacion, por një rrugëtim i përhershëm dhe i pandalshëm.
Përjetësi Shqipërisë dhe shqiptarëve!