Në një raport të transmetuar më 11 tetor 2020, një gazetar i televizionit shtetëror rus u tregon me entuziazëm shikuesve çfarë i pret: pjesë nga një intervistë me presidentin Vladimir Putin dhe ndër të tjera, lajme për testimin e një rakete hipersonike, për të cilën Moska ishte mburrur.
Pas intervistës, më shumë punë, thotë gazetari, duke përsëritur narrativin e Kremlinit se Putini punon pa pushim për të mbajtur vendin të sigurt dhe të fortë.
Një mbishkrim në këndin e ekranit thotë “Novo-Ogariovo” – rezidenca kryesore presidenciale në periferi të Moskës – dhe në video shfaqet Putin duke iu drejtuar derës së zyrës së tij dhe zgjatur dorën për ta hapur.
Dhe aty qëndron e vërteta: pozicioni i dorezës së derës dhe disa hollësi të tjera tregojnë se pamjet nuk janë filmuar aspak në Novo-Ogariovo, sipas një ankete të Radios Evropa e Lirë (REL).
Në fakt, ato janë xhiruar më shumë se 1.500 kilometra në jug, në një zyrë pothuajse identike në Boçarov Ruçei, një rezidencë shtetërore në Soçi, në brigjet e Detit të Zi.
Njësia hulumtuese ruse e REL-it, Systema, zbuloi se në Novo-Ogaryovo nuk ndodhet vetëm një, por dy kopje të zyrës së Putinit, një në Soçi dhe një në Valdai, afërsisht në mes të Moskës e Shën Pjetërburgut dhe se Kremlini ka mashtruar publikun për vendndodhjen e presidentit qindra herë gjatë viteve të fundit.
Në shumicën e rasteve të dokumentuara nga Systema, takimet që supozohej se ndodhën në Novo-Ogariovo në të vërtetë ishin xhiruar në Soçi ose në Valdai, një qytet pranë liqenit, me pyje të dendura, që Putini e ka preferuar që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, duke nxitur sulme me dronë ndaj shënjestrave ushtarake e industriale në Rusi.
Ky hulumtim tregon një Kremlin shumë sekret që ka mashtruar rregullisht publikun për vendndodhjen e Putinit në vitet e fundit. Gjithashtu ngre dyshime mbi kohën e takimeve dhe bisedave që administrata e Putinit i bën publike.
Në një raport të publikuar në gusht, Systema zbuloi se të paktën pesë takime të Kremlinit që supozohej të kishin ndodhur në prill ose maj, në fakt ishin filmuar muaj më parë. Putini e ka vazhduar këtë mashtrim edhe këtë vjeshtë: që nga gushti, Kremlini ka publikuar të paktën shtatë video të vjetra, duke i paraqitur si të reja, sipas Systemas.