Lifestyle

Ku po gaboni me gjuhën tuaj të trupit?

Gjuha e trupit është një pjesë thelbësore e komunikimit dhe shpesh ka një ndikim më të madh sesa fjalët që përdorim. Ajo mund të japë mesazhe të caktuara pa e kuptuar, dhe ndonjëherë, mund të krijojë situata të sikletshme.

Sipas “Verywell Mind”, ndërsa shumica e njerëzve kalojnë kohë duke zgjedhur fjalët e duhura, gjuha e trupit mund të na tradhtojë pa dashje. Ja disa nga gabimet më të zakonshme të gjuhës së trupit që duhet të shmangni për të parandaluar keqkuptimet:

Kryqëzimi i krahëve dhe këmbëve

Ndërsa shumë njerëz e bëjnë këtë për t’u ndjerë rehat, kjo mund të shihet si një shenjë mbrojtjeje ose mërzie. Nëse ndiheni të ftohtë, mund të sqaroni këtë me një koment të thjeshtë për të shmangur keqkuptimet.

Lëvizjet e vazhdueshme

Luajtja me flokët ose trokitja me gishta mund të tregojë se jeni të shqetësuar ose të mërzitur. Megjithatë, disa njerëz përdorin këto lëvizje për të qëndruar të qetë dhe të përqendruar.

Shmangia e kontaktit me sy

Mungesa e kontaktit me sy mund të krijojë përshtypjen e mungesës së interesit, ndërsa shikimi i telefonit gjatë një bisede mund të tregojë se nuk jeni të përfshirë plotësisht në bisedë.

Mbështetja e kokës në duar

Edhe pse mund të duket si një qëndrim i zakonshëm dhe i rehatshëm, në një situatë profesionale mund të interpretohet si mërzi ose mungesë interesi.

Postura e përkulur dhe qëndrimi keq

Të qëndrosh i përkulur mund të krijojë përshtypjen e pasigurie ose të mungesës së interesit. Një qëndrim më i drejtë dhe i hapur jep përshtypjen e vetëbesimit dhe vëmendjes.

Lëvizje të sforcuara

Të kontrollosh çdo lëvizje mund të bëjë që të dukesh i tendosur dhe jo natyral. Përpiquni të qëndroni të qetë dhe të relaksuar për të treguar vetëbesim pa u dukur të tepruar.

Shprehi serioze e të ftohta të fytyrës

Një fytyrë shumë serioze mund të krijojë përshtypjen e mospëlqimit. Një buzëqeshje e vogël dhe një shikim i hapur i syve mund ta bëjnë bisedën më të këndshme dhe të tregojnë që po i kushtoni vëmendje tjetrit.

Për të shmangur situatat e sikletshme dhe për të komunikuar më mirë me të tjerët, është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm për gjuhën e trupit tonë dhe të kujdesemi që ajo të pasqyrojë mesazhet që duam të dërgojmë.