Një person u arrestua dhe një tjetër u shpall në kërkim në Malësi të Madhe, të akuzuar për kultivim kanabisi. Sipas policisë, dyshohet se kishin përshtatur tre ambiente në fshatin Boriç i Madh për të kultivuar bimë narkotike me pajisje elektrike, që i furnizonin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Gjatë operacionit, policia zbuloi një banesë dhe dy stalla në fshatin Boriç i Madh, të cilat ishin përshtatur për kultivimin dhe tharjen e bimëve të kanabisit.
Janë ndaluar edhe 4 punonjës të OSHEE-së si dhe u procedua penalisht një punonjës tjetër, për shpërdorim detyre.
Policia sekuestroi 771 bimë kanabis, 6 kg e 250 gramë lëndë narkotike, 195 llamba, 21 copë aspiratorë dhe 20 copë filtra ajri, që shërbenin për kultivimin e tyre.
Vijon puna intensive për kapjen e 36-vjeçarit në kërkim e për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.