Kuvendi është mbledhur për seancën e rradhës që paralajmërohet e tensionuar. Sot pritet votimi i projekt-ligjit për ndërtimin e Teatrit të ri dhe Opozita ka njoftuar qëndresë për të mos lejuar miratimin, ndonëse Maxhoranca i ka votat. Jashtë sallës së Kuvendit, po zhvillohet protesta e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Kërkesat e saj i përcolli aktori Neritan Liçaj: “Po flasim për një vepër të mirëfilltë korruptive dhe penale që po i bëhet pronës publike”. Por nga Qeveria nuk ka shenja tërheqjeje në vendosmërinë për ndërtimin e Teatrit të ri: “Nevoja për investime kulturore tek ne është ulëritëse. Teatri Kombëtar është prioritet, është në gjendje emergjente. Nuk i qëndron më kohës. Propozimi i përcjellë nga Bashkia Tiranë është shqyrtuar me shumë kujdes për të gjetur procedurën ligjore të duhur. Propozimi synon që të merret më e mira e bashkëpunimit mes pronarëve privatë dhe publikë”.Dëgjuam Ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro duke folur në foltoren e Kuvendit, në mbrojtje të ndërtimit të projekt-ligjit për Teatrin e ri. Ndërkaq, siç po iu mbajmë të informuar në takimet tona informative, artistë, pjesëtarë të shoqërisë civile e qytetarë, po protestojnë para selisë së Parlamentit në Tiranë, duke kërkuar tërheqjen e draftit, sipas tyre, si vepër korruptive e penale ndaj pronës publike.