Sport

Kuqezinjtë vijojnë përgatitjet, Manaj stërvitet i vetëm larg grupit

Kombëtarja shqiptare ka vijuar me intensitet të plotë përgatitjet në prag të përballjes vendimtare ndaj Serbisë, ndërsa e vetmja pikë e paqartë mbetet gjendja shëndetësore e sulmuesit Rei Manaj.

Gjatë seancës së fundit stërvitore, Manaj është parë duke u stërvitur i veçuar nga grupi, për shkak të një gjendjeje gripale. Lojtari është kufizuar vetëm në palestër dhe nuk ka qenë pjesë e ushtrimeve në fushë, për të shmangur komplikime dhe për të ndjekur protokollin mjekësor të federatës.

Pavarësisht kësaj, atmosfera në kampin kuqezi mbetet pozitive. Të gjithë lojtarët e tjerë janë në formë të plotë dhe po ndjekin seancat me intensitet, nën drejtimin e trajnerit Silvinjo dhe stafit të tij teknik. Gjatë stërvitjeve janë testuar disa skema taktike, në funksion të sfidës me serbët, që pritet të jetë me rëndësi të madhe për ecurinë e Shqipërisë në grup.

Stafi mjekësor dhe teknik janë optimistë për rikuperimin e Manajt në kohë për ndeshjen, megjithatë gjithçka do të vlerësohet me kujdes në ditët në vijim.