Rajoni

Kurti: Largimi i bandave në veri, rruga drejt qetësimit/Escobar: Kurti partneri ynë edhe pse i vështirë!

Kryeministri Albin Kurti thotë se Kosova qëndron prapa vlerave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, por se rruga për qetësimin e situatës në katër komunat e veriut duhet të nisë me largimin e atyre që i quan “banda kriminale”.

Rruga përpara për qetësim dhe për normalizim nënkupton ndalimin e menjëhershëm të dhunës nga bandat kriminale para objekteve të komunës ndaj zyrtarëve të Policisë, ndaj ushtarëve të NATO-s, ndaj gazetarëve dhe ndaj kryetarëve të komunave.

Sipas Kurtit, prania e policisë në veri mund të zvogëlohet në mënyrë proporcionale vetëm nëse nga veriu largohen ato që i konsideron “banda kriminale” dhe në rast se arrestohen personat që shkaktuan dhunë.

Komunitetit ndërkombëtar i bën thirrje të punojë në drejtim të intensifikimit e dialogut për zbatimin e marrëveshjeve të 27 shkurtit e të 18 marsit, të arritura në Bruksel e në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Kemi nevojë për sekuencim të balancuar dhe “fair” të zbatimit të marrëveshjes bazike. Marrëveshjen jo vetëm që e kemi pranuar të dyja vendet, Kosova dhe Serbia por ajo është edhe pjesë e konkluzioneve të Këshillit Europian të datës 9 shkurt 2023.

Referuar tensioneve në veri, Kurti shprehet se deri në zgjedhjet e radhës në komunat veriore, kryetarët aktualë duhet të ushtrojnë detyrën e tyre, ndërsa iu bën thirrje serbëve, të marrin pjesë në zgjedhje.

Objektet komunale janë në pronësi të Kosovës dhe nuk do të lejohet që të shndërrohen në objekte në pronësi të një etnie të caktuar. Sa i takon dhunës së shkaktuar nga protestuesit javët e fundit në veri, buron e urdhërohet nga Beogradi.

Këto komente, kryeministri Kurti i bëri sot në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje. Ndërkaq, po i bëhet jehonë një deklarate të të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Tensionet në veri të Kosovës kanë bërë që thirrjet e SHBA-ve të jenë të ashpra kundrejt Albin Kurtit duke kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja e formimin e Asosacionit të komunave serbe.

Kërkesat që Kurti të bëjë një hap pas, sollën aludime për një krizë në marrëdhëniet mes Kosovës e SHBA-ve, por Escobar sqaroi se Albin Kurti është partner i Amerikës, edhe pse ndonjëherë, siç u shpreh “është një partner i vështirë”.