Kryeministri Albin Kurti akuzoi Serbinë se përdor propagandë e dezinformata, siç tha, si armë të politikës së saj të jashtme për të dëmtuar Kosovën. Në konferencën e 7-të të ambasadorëve, të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kurti iu kërkoi të jenë aktivë në luftën ndaj propagandës serbe, që sipas tij, “mbështetet hapur nga Rusia”.
Përballë sulmeve sistematike, hibride, kinetike, terroriste të Serbisë, ajo vazhdimisht përdorë propagandën, dezinformatat si armë të politikës së saj të jashtme dhe pikërisht për këtë arsye puna juaj merr vlerë edhe peshë të shtuar. Me mbështetje të hapur nga Rusia, ajo ka ngritur një rrjet narrativësh të rreme që synojnë të dëmtojnë shtetin tonë dhe tentojnë të pengojnë përparimin tonë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike.
Kurti shtoi se në betejën e narrativëve të rremë, shpejtësia e reagimit dhe profesionalizmi janë armët kyçe.
Ju duhet të veproni me vendosmëri e qartësi, si dhe të jeni të shpejtë në reagime për secilën gënjeshtër që shpërndan Serbia apo elementet e saj, ne duhet ta kemi të gatshme të vërtetën tonë.
Kurti e të tjerë përfaqësues të lartë të Kosovës, edhe në të kaluarën kanë fajësuar Serbinë e Rusinë se përhapin dezinformata kundër vendit. Po ashtu, autoritetet kanë paralajmëruar për një rrezik që mund t’i kanoset vendit nga Serbia. Sa herë që kanë folur për kërcënime të tilla kanë përmendur edhe Rusinë, që sipas tyre, “është e interesuar për destabilizimin e veriut të Kosovës”, me shumicë serbe, si dhe rajonit.
Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar Beogradin si “dorë të zgjatur të Moskës” dhe deklaroi se po tenton “të luajë lojërat” e Rusisë për të hapur një front të ri ndaj Perëndimit. Serbia, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës ka raporte të mira me Rusinë dhe Beogradi refuzon thirrjet ndërkombëtare që t’iu bashkohet sanksioneve të Bashkimit Europian për shkak të luftës së Moskës kundër Ukrainës.
Rusia e ka justifikuar ndërhyrjen në Ukrainë, me situatën në Kosovë. Moska njohu dy rajone lindore ukrainase si shtete të pavarura dhe presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se përderisa Kosova ka shpallur pavarësinë, edhe këto rajone munden. Por, Kurti i ka quajtur këto krahasime si “injorancë”.