E shtuna e 7 qershorit do të jetë një fund javë e veçantë, pasi historia përsëritet dhe Shqipëria pret Serbinë në “Arenën Kombëtare”. Legjenda vlonjate Sokol Kushta mendon se duhen lënë pas polemikat politike dhe nacionaliste dhe fokusi të jetë tek futbolli.
Gjatë një interviste për mediat lokale në Vlorë, Kushta thotë se do ta kënaqte edhe një barazim në këtë sfidë, kurse fitorja do të ishte idealja. Pavarësisht se mund të ketë rezerva për formacionin, thekson se nuk komenton në këtë moment përzgjedhjet e trajnerit Silvinjo.
Kushta, më 7 qershor presim Serbinë. Historia mund të na trembë pak nga ngjarjet që kanë ndodhur. Ju, si e shikoni këtë ndeshje?
Këto janë gjëra që kanë ngelur në histori dhe unë kam dëshirë që kjo vazhdimësi të thyhet. Nuk është punë nostalgjie por këtu është punë realiteti. Një fitore sot e fshin çdo histori që ka mbetur për… Ne sot duhet që të jemi të kënaqur nëse ekipi kombëtar luan dhe fiton kundër Serbisë. Nuk mund të them që vë dinjitetin, por nga ana sportive tregon që ne jemi dinjitozë për Kampionatin Botëror.
Mendoni se sa herë flasim për Serbinë, mendja na shkon më shumë te politika sesa te sporti?
T’i lëmë anët politike dhe anët e tjera. Ne do fokusohemi në këtë moment vetëm tek ana sportive. Pas ndeshjes, ne mund të cilësojmë çdo gjë si në anën politike, si në anën ekonomike. Nuk duhet të merremi me të parën, më anën politike por të kalojmë në anën sportive.
Cila është gjëja më e mirë?
Më e mira për ne është minimalisht barazimi. Maksimumi është fitorja. Ne duhet që të motivohemi.
Gjithsesi, e keni një analizë për përzgjedhjet e trajnerit?
Ajo është analizë tjetër. Në këtë moment ne nuk mund të gjykojmë dot asnjë gjë, pasi lista ka dalë. Çdo gjykim për këtë është një anë negative për momentin. Edhe unë mund të kem dilemat e mia, por në këto momente ne duhet të nxjerrim anën tonë më pozitive. Pas ndeshjes do të shikojmë rezultatin, mënyrën e lojës, çfarë u bë mirë dhe çfarë u bë gabim. Unë dëshiroj që mos të kemi asnjë problem me anën taktike. Të fitojmë, që të jemi tek ajo shprehja që fituesi analizohet, por nuk gjykohet. T’i lëmë zgjedhjet e trajnerit dhe të fokusohemi te kjo, që të jemi lojtari i 12-të.
Ju jeni një nga legjendat e Flamurtarit dhe Kombëtares. Si ndiheni që keni mbetur pjesë e historisë?
Le t’i lëmë historitë! Mua më vjen mirë që ngelem në histori, por ta lëmë këtë gjë. Ne duhet që të fokusohemi te kjo ndeshje. Ajo na sjell shumë përfitime. Përfitimi i parë është sportiv që ne marrim tri pikë me kundërshtarin më të afërt për “play off”. Është një kundërshtar që afrohet me ne. Mund të jetë më lart, por në momente të caktuara mund të jemi ne më lart. Kështu që më shumë se çdo gjë sot ne dhe tifozët bashkë me ne duhet të mbështesim ekipin kombëtar. Ne duhet të jemi lojtari i 12-të i ekipit kombëtar. Të tjerat, pastaj, historia flet vetë. Edhe njerëzit janë ata që nuk harrojnë gjërat e mira që bën Kombëtarja jonë.