Aktualitet

Kushtetuesja rrëzon nenin e Kodit Zgjedhor për pragun 1%!

Gjykata Kushtetuese i jep pjesërisht të drejtë kandidatit të pavarur për deputet në qarkun e Dibrës, Elton Debreshi, i cili ishte propozuar nga zgjedhësit në votimet e 25 prillit. Kushtetuesja rrëzoi Kodin Elektoral, duke shfuqizuar nenin që kushtëzon kandidatët e pavarur të marrin 1% të votave në rang kombëtar. Eshtë fjala për fjalinë e dytë të pikës 1 të nenit 162, që thotë se “Për zgjedhjet parlamentare, përjashtohen nga shpërndarja e mandateve subjektet që kanë marrë më pak se 1% të votave të vlefshme në shkallë vendi.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në seancën plenare publike të datës 28.09.2021 mori në shqyrtim çështjen me kërkues: Elton Debreshi, subjekt zgjedhor kandidat i propozuar nga zgjedhësit, me objekt: – Shfuqizimi i pikës 1 të nenit 162 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si e papajtueshme me Kushtetutën e Republikën e Shqipërisë. Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin se pjesa e fjalisë së dytë, të pikës 1, të nenit 162 të Kodit Zgjedhor, që vendos për kandidatët e propozuar nga zgjedhësit kufizim të njëjtë me atë të kandidatëve të propozuar nga partitë politike, ose nga koalicion partish politike cenon të drejtën kushtetuese për t’u zgjedhur, në lidhje me parimin e barazisë në ligj dhe ndalimit të diskriminimit.

Për këto arsye Gjykata Kushtetuese,

VENDOSI: – Pranimin pjesërisht të kërkesës. – Shfuqizimin, si të papajtueshëm me Kushtetutën, të fjalisë së dytë, të pikës 1, të nenit 162 të Kodit Zgjedhor të ndryshuar, në pjesën që barazon kandidatët e propozuar nga zgjedhësit me kandidatët e propozuar nga partitë politike, ose nga koalicion partish politike. Vendimi përfundimtar i arsyetuar do të shpallet brenda afateve të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Më 30 qershor, Gjykata Kushtetuese pranoi edhe kërkesën e Bindjes Demokratike të Astrit Patozit për të shfuqizuar nenin që i shpërndan mandatet e deputetëve sipas herësit. Kërkesa për shfuqizimin e pikës 3 të Nenit 163 të Kodit Zgjedhor është pranuar pjesërisht si e papajtueshme me Kushtetutën. Me këtë vendim pritet që në zgjedhjet e ardhshme të kemi proces zgjedhor me lista 100% të hapura.