Aktualitet Politikë

Kuvend, Berishës iu ndërpre fjala, opozita bllokoi foltoren/ Berisha: Parlamenti mburojë e vjedhjeve të Ramës e Ballukut!

Opozita ka bllokuar foltoren gjatë seancës plenare. Kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i është ndërprerë fjala nga kryeparlamentari Niko Peleshi.  Demokratët u çuan duke bllokuar foltoren e mos lejuar vijimin e seancës. Deputetët opozitarë argumentojnë se kjo masë është e nevojshme për të kundërshtuar vendime që, sipas tyre, shkelin rregullat dhe interesat e qytetarëve. Berisha doli nga salla për të folur me gazetarë në oborrin e Kuvendit.

Këta kanë tmerr nga fjala e lirë. Nuk dinë ku janë, janë trembur nga protesta! Parlamenti po bëhet mburojë për vjedhjet e Ramës e të Ballukut!

Seanca rinisi pas ndërprerjes disa minutëshe. Sali Berisha:

20 shkurti do të jetë fundi juaj!

Në rend dite është zhvillimi i dy interpelancave me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro.

Rendi i ditës në Parlament pritet të jetë i ngjeshur me kërkesa për llogaridhënie dhe votime projektligjesh. Deputetja Erisa Xhixho dhe deputeti Erald Kapri kërkuan interpelancë me Kumbaron mbi sigurinë në shkolla dhe masat kundër dhunës mes të miturve.

Ndërkohë, deputeti i PS-së, Erion Braçe, ka thirrur në një seancë pyetje-përgjigje ministren e Shëndetësisë, Evis Sala, lidhur me problemet e shërbimit në qendrën shëndetësore të rrugës “Irfan Tomini” në Tiranë.

Përveç interpelancave, deputetët do të votojnë ndryshime ligjore që prekin TVSH-në, akcizat dhe Trashëgiminë Kulturore. Seanca pritet të zhvillohet në një atmosferë të tensionuar, si pasojë e protestës së dhunshme të Partisë Demokratike, dy ditë më parë, ku mbetën të lënduar efektivë policie e punonjës të medias.