Banorë të Durrësit, që preken nga projekti TID në zonën historike të qytetit bregdetar dhe banorë të fshatit Rrjoll të Velipojës i kanë zhvendosur protestat e tyre para Kuvendit që është mbledhur në seancë plenare.
Dhjetëra banorë të Durrësit protestojnë kundër shpronësimeve, teksa vlerën e dëmshpërblimit të ofruar nga Bashkia e konsiderojnë të ulët.
Dy ditë më parë, Bashkia Durrës i dërgoi një projektvendim Këshillit Bashkiak, për të miratuar një bonus qiraje për banorët që preken nga projekti “TID”, kërkesë që u kundërshtua me forcë nga pronarët e banesave dhe bizneseve.
Sipas banorëve, akordimi i bonusit të qirasë është i papranueshëm për ta. Për shkak të rezistencës së qytetarëve, këshilltarët opozitarë braktisën sallën e mbledhjes dhe projektvendimi për bonuset e qirave u shty për në mbledhjen e radhës.
Banorët e fshatit Rrjoll vijojnë protestat kundër resortit turistik që parashikohet të realizohet në zonën bregdetare mes Ranës së Hedhun dhe Baks-Rrjollit.
Banorët kundërshtojnë projektin, duke pretenduar se tokat ku po realizohet investimi janë pronë e tyre dhe se po cenohen pa një proces të rregullt ligjor. Projekti turistik në këtë zonë parashikon ndërtimin e strukturave akomoduese dhe vilave turistike.