Kërkesa e PD-së për të mbajtur interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama lidhur me ankimimin e pezullimit të Belinda Ballukut në Gjykatën Kushtetuese nuk është pranuar. 74 deputetë votuan kundër dhe vetëm 17 ishin pro për mbajtjen e interpelancës. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi theksoi se çështja është në Kushtetuese dhe duhet pritur vendimi nga ana e gjykatës.
Objekti është aktualisht në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese dhe kërkesa për interpelancë urgjente sipas parashikimit kushtetues, nuk është pranuar se çështja është aktualisht në Gjykatën Kushtetuese dhe është ky organ që do të japë një interpretim përfundimtar mbi kompetencat e ndarjes së pushtetit.
Në rend dite janë disa projektligje, mes tyre ai për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për Avokatin e ri të Popullit. Procesi lidhur me zgjedhjen e avokatit të ri është në ngërç pasi një ditë më parë, PD tërhoqi firmat e të gjithë deputetëve që do t’i përcilleshin seancës për votim me argumentin se nënshkrimet janë dhënë para se 7 kandidatët që mbështetën të kalonin filtrin e Komisionit të Ligjeve.
Po ashtu, në rend dite janë disa projektligje për ratifikime ndërkombëtare, përfshirë marrëveshjet me Bankën Evropiane të Investimeve dhe BERZH për projektet hekurudhore dhe energjinë. Po ashtu, pritet të shqyrtohet projektvendimi për zgjedhjen e Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil.
Më herët, u mësua se për këtë post, mazhoranca kishte vendosur të votonte Lefterie Lleshin, ish-kryetare e KQZ-së që vitet e fundit është drejtore në parlament.