Aktualitet Politikë

“Paketa e maleve”, kryeministri Rama: Nuk ka anulim!

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj kritikave për “Paketën e maleve”, për të cilën protestuesit kërkojnë shfuqizim, me argumentin se Shqipëria po shitet. Rama e përjashtoi mundësinë e anulimit dhe ligjin e mbron si një mundësi për emigrantët që sipas tij, duan të investojnë, për t’i dhënë një shtysë turizmit dhe ekonomisë.

Jemi në kushtet kur mijëra emigrantë kanë shprehur interes sepse duan të investojnë. Turizmi të do shkojë duke u bërë ekonomi gjithnjë e më domethënëse.

“Paketa e maleve” është politikë për njerëzit, të drejtën e pronës, zhvillimin e pronës. Politikë që u shkon për shtat atyre që për vite nuk kanë mundur ta kthejnë pronën në aset financiar.

Çfarë do të thotë të anulohet “Paketa e maleve”? Domethënë që këta njerëz të mbeten pezull? Nuk kam parë ndonjë komunitet nga këta që preken, të çohen të thonë që kjo paketa po na merr pronat.

Ata mezi e presin, ky është rezultat i shumë bisedave, i shumë përpjekjeve, nuk është diçka që lindi sa hap e mbyll sytë. Shitet në tregun e fjalëve si një tjetër akt tradhtie. Unë tradhtar?! Një temë tjetër kjo.

Po referuar “Paketës së maleve”, shefi i qeverisë theksoi se do të jetë një “histori suksesi, për të bërë Zvicrën e vogël”.

Po ashtu, kryeministri foli sërish për protestën e tha se “është marrë peng nga korba e sorra” që siç u shpreh “e kanë kthyer në një shëmbëlltyrë simetrike me jashtënxjerrjen e opozitës”.

Ai bulevard është i ndarë për histori. Historia e flamingove është historia e Shqipërisë së re. Historia e sorrave dhe korbave që e kanë marrë peng dhe e kanë kthyer në një shëmbëlltyrë simetrike me jashtënxjerrjen e asaj opozitës që tani nuk dihet më ku është, nuk ka asnjë lidhje me të ardhmen e Shqipërisë.

Eshtë vetëm e shkuara që vjen në forma shumë të rrezikshme dhe shumë shqetësuese, po të shohim historinë. Ekstremet e majta dhe të djathta që vijnë për të sjellë më të keqen për një vend, përmes injorantësh, delirantësh dhe dështakzemërakësh të pangushëllueshëm.