Rajoni

Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet as në përpjekjen e 46-të!

Kuvendi i Kosovës nuk është konsituuar as sot dhe kështu deputetët shënuan herën e 46-të që mblidhen, akuzojnë njëri-tjetrin e nuk finalizojnë procesin. Pavarësisht se theksojnë rëndësinë e formimit të institucioneve të reja, sërish nuk lëkunden nga qëndrimet e kundërta. Në seancë morën pjesë 82 deputetë.

Edhe kur kryesuesi Avni Dehari e mbylli seancën, disa deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) vazhduan të mbajnë fjalime drejtuar qytetarëve, me thirrjet që Lëvizja Vetëvendosje, partia që ka fituar më shumë vota në zgjedhjet e 9 shkurtit, t’i japë fund kësaj situate. Sipas tyre, LVV-ja po e “saboton shtetin qëllimisht”.

Situata është bllokuar pasi PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe, kjo e fundit partia më e madhe e serbëve në Kosovë, nuk pranojnë të propozojnë nga një kandidat për formim të një komisioni për votim të fshehtë, me arsyetimin se mënyra e ndryshimit të votimit nuk është kushtetuese.

Lëvizja Vetëvendosje kërkon që për Albulena Haxhiun, e propozuar për kryeparlamentare, të votohet vetëm një herë përmes votimit të fshehtë dhe nëse nuk i siguron 61 votat e nevojshme, të tërhiqet nga gara.

Haxhiu nuk i ka siguruar votat e nevojshme në disa seanca radhazi me votim të hapur. Për disa parti, ajo është figurë përçarëse dhe e papranueshme. Palët vazhdojnë të mos gjejnë kompromis ndonëse po “digjet” afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.

Ndonëse gjykata e ka përcaktuar 26 korrikun si afat të fundit për konstituim, nuk ka ofruar më shumë hollësi se çfarë ndodh më tej nëse partitë nuk merren vesh deri atëherë.

Presidentja Vjosa Osmani ka takuar përfaqësuesit e partive politike ditë më parë, me shpresën e gjetjes së një zgjidhjeje, por situata nuk ka ndryshuar. Osmani e përmendi edhe mundësinë që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë. Pjesëtarë të shoqërisë civile kanë protestuar disa herë para selisë së Kuvendit duke kërkuar përgjegjësi nga deputetët.